Qeveria e re e kryesuar nga Avdullah Hoti do të ketë 16 ministri. Kjo është konfirmuar në një konferencë për media sot pas mbledhjes së strukturave të LDK-së, nga vet kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti.
“Unë në cilësinë e mandatarit, kam diskutuar me partnerët. Qeveria e re do të ketë 16 ministra”, ka thënë Hoti.
Ai po ashtu ka deklaruar se LDK nuk ka caktuar ende emrat e mundshëm për ministra, pasi sipas tij po pritet koha e mbajtjes së seancës.
“Ne ende nuk e kemi caktuar kabinetin nga ana e LDK-së. Presin për kohën e mbajtjes. Kemi bërë një ndryshim dhe një riorganizim”, ka shtuar Hoti.
Ndërkaq, kreu i LDK-së, Isa Mustafa që po ashtu ishte pjesë e kësaj konference tha se nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Vetëvendosjes lidhur me kërkesën për caktimin e masës së përkohshme do ta respektojnë. Ndërkohë, Mustafa ka theksuar se është i bindur se dekreti i presidentit është në përputhje me Kushtetutën.