Ndryshojnë rregullat për funksionimin e plazheve në vend. Rregullorja tashmë ka hyrë në fuqi pasi është botuar në fletoren zyrtare dhe parashikon që sërë elementësh të rinj sesi do të procedohet për sezonin e ardhshëm.
Përparësi në menaxhimin e stacioneve të plazhit do të kenë strukturat akomoduese e konkretisht hotelet që janë në afërsi të plazheve.Aplikimet për stacionet e plazheve do të bëhen në e-albania në bashkëpunim me njësitë vendore.
Ndarja e sipërfaqes së plazhit, si plazh privat apo publik, do të kryhet sipas gjatësisë në vijë lineare të hartës së propozuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse, ku në çdo 1000 m vijë lineare, 300 m do të jenë plazh publik.
Po ashtu në rregullore përcaktohen rregulla edhe për largësinë për për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve për të cilat duhet të respektohet një distancë prej të paktën 10 m nga vija e bregut të detit apo liqenit.
Plazhet do të ndahen në katër kategori në bazë të vijës së bregut të detit ose të liqenit dhe të karakteristikave të tjera natyrore. Të gjitha stacionet e plazhit kanë detyrimin e vendosjes, mirëmbajtjes dhe ruajtjes së kushteve higjienike dhe të sigurisë për jetën, po ashtu me anë të shpenzimeve të tyre kanë detyrë të ruajnë pastërtinë e detit dhe bregut të detit për zonën para stacionit të plazhit./abcnews.al