Këtë të enjte në Abc e Pasdites me Ermal Peçin ishte i ftuar Gëzim Nika i cili ndodhet në Tiranë sepse ka plot koncerte e dasma sezonale. Për Gëzimin të flasë dhe të vij në Shqipëri, e bën me shumë dëshirë, ndërkohë që na tregon se nuk ka qenë aspak e thjeshtë të largohej së bashku me familjen drejt Amerikës. Në asnjë moment nuk është shkëputur nga Shqipëria dhe një pjesë e këngëve të tij janë kaq patriotike të dedikuara atdheut. Ermali e pyet nëse në këtë rrugëtim 40 vjeçar profesional ka pasur ose jo brryla e vështirësi.
“Lufta lart është e rrezikshme e madhe, ka luftë brrylash shumë; më shumë këtu, Kosovë, Maqedoni. Nuk është tek pagesa. Rriskun që e ka dikush nuk ta merr njeri”.
A ka muzika moshë? Sipas Gëzimit nuk ka moshë, gjithkush mund të këndojë. Duke qeshur ai shtoi “Këtu ka më shumë këngëtar se polic, kur u thyen depot në ‘97 kanë dalë dhe këta këngëtar me kallasha”.
Në këtë moment Ermali e pyet nëse i pëlqejnë këngët e reja dhe nëse bëhët folk i mirë sot. A duhet të jemi shumë të kujdesshëm me tekstet sidomos me këngët popullore?
“ Po se është pasuri kombëtare, nuk është pasuri e individit. Është pjesë e edukimit të brezit, tek tekstet nuk duhet me prek, tek muzika mund të bëhen modifikime”.
Ai tha se shumë shpejt do të sjell një projekt shumë të madh, Lahutën e Malsisë të kthyer në melodi.
Me shaka Ermali e pyet se i ka dal nami në Shqipëri se është shumë i shtrenjtë për gëzime familjare.
‘Sot kam ardhur shumë i thjeshtë . Në Amerikë mosha dhe paga s’tregohen’”, thotë ai.