“Më shanin në ëndërr”, zbardhet dëshmia e të riut që sulmoi besimtarët me thikë në xhami

schedule20:06 - 19 Prill, 2021

schedule 20:06 - 19 Prill, 2021

Rudolf Nikolli terrorizoi mesditën e sotme Tiranën, pasi u fut në xhaminë “Dine Hoxha” në Rrugën e Kavajës duke qëlluar me thikë 5 besimtarë myslimanë.

Besimtarët e neutralizuan dhe policia e shoqëroi, ndërsa i ati i të riut u shpreh se djali kishte probleme me shëndetin mendor dhe se ishte kuruar disa herë.

Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra ka zbardhur dëshminë që i arrestuari ka dhënë përpara grupit hetimor të anti-terrorit. Ai ka deklaruar se ka parë në ëndërr që e shanin, pa specifikuar se kush dhe për këtë arsye ka ndërmarrë sulmin me thikë.

“Kam parë në ëndërr dhe më shanin, më ngacmonin dhe më ndiqnin”. Kjo ka qenë fjalia e vetme që Rudolf Nikolli ka deklaruar përpara hetuesve.

Në Tiranë, gazetarja Xhensila Kodra ka mësuar se Nikolli ka qëndruar me qera në disa zona, ndërsa frekuentonte shpesh zonën e Bllokut.

Në kohën që Nikolli kreu sulmin me thikë ishte në kërkim, pasi akuzohej për plagosje të lehtë me dashje pak muaj më parë, të një shoferi. Ndërkohë që 5 besimtarët që plagosi ditën e sotme janë jashtë rrezikut për jetën./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!