Nga Lorenc Vangjeli
Ka një mallkim që i ndjek paprerë opozitat shqiptare. Ato sillen ndaj qeverisjes së radhës me mentalitetin e zhytjes në llogore dhe të armikut përballë. Opozitat, dje e majta, sot e djathta, i qasen qeverisjes me paranojë të skajshme, me mosbesim të thellë dhe me mohim total.
Për të kuptuar qëndrimin e njërës palë, mjafton të dëgjohet pala tjetër dhe të kthehet përmbys arsyetimi. Çfarë njëra e quan ditë që shkëlqen, për tjetrën është vetë ferri që nxin. Kjo ndarje e thellë mund të shpjegohet me shumë arsye dhe ato nuk vijnë vetëm nga tradita më e ligë që është krijuar në këto tre dekada pluralizëm.
Ndarja dhe armiqësitë reflektojnë vetë raportin e individit shqiptar me shtetin. Në vetëm 110 vjet shtet të pavarur, në shumë më shumë se në gjysmën e kësaj kohe, vetë shteti është sjellë në mënyrë armiqësore e kriminale me qytetarët e tij. Si armiq janë sjellë me njëri-tjetrin edhe ata që konsiderohen ende si korifenj të mendimit të shqipes dhe që tingëllojnë bukur kur citohen veç e veç, por që bashkarisht ndanin interesa të kundërta personale e politike. Eshtë tmerrues raporti me Nolit, Konicës apo At Gjergj Fishtës. Njëlloj si sot Rama, Berisha e Meta edhe pse krahasimet mes tyre janë tjetër gjë.
Njëlloj edhe në anën tjetër të Drinit, kur dëgjon se çfarë urrejtje shkëmbejnë bashkarisht sot Kurti, Thaçi e Haradinaj apo edhe Rugova, Demaçi e Qosja dje. Për të mos përmendur Hoxhën, komunistin feudal që njëherë bekonte si prift bashkëluftëtarët e tij e pastaj i grinte me plumba. Zoti mos e dhëntë që të kenë njëkohësisht të gjithë të drejtë për njëri-tjetrin!
Ky keqkuptim fatal me funksionimin e demokracisë, është baza më e gjerë për të kuptuar edhe duelin dramatik e qesharak që po zhvillohet për protestën e paralajmëruar të 6 dhjetorit. Nga njëra anë Berisha premton derdhje në shesh për të treguar një realitet tjetër shqiptar dhe një vend që ndodhet nën një regjim që trysnon demokracinë, që grabit për të blerë shmangien e rotacionit qeverisës dhe nga ana tjetër qeverisja që vizaton një opozitë të marrë peng nga non grata dhe që kërkon të marrë peng gjithë Shqipërinë për shkak të individit që kërkon pushtet./abcnews.al/