Më në fund parlamenti britanik voton pro BREXIT në 31 janar, fitore për Boris Johnson

schedule23:22 - 9 Janar, 2020

schedule 23:22 - 9 Janar, 2020

Dhoma e përfaqësuesve në Britaninë e madhe ka votuar për miratimin e ligjit për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, duke i hapur kështu më në fund rrugën Brexitit më 31 Janar, pas vitesh bllokimit politik të këtij procesi. Deputetët votuan me shumicë votash pro marrëveshjes ligjore për daljen nga BE, që do kthehet në ligj sapo të miratohet siç pritet nga Dhoma e Lartë e Lordëve.

Kalimi i këtij ligji është një fitore për kryeministrin Boris Xhonson, që ka kërkuar gjithnjë largimin e Britanisë nga BE në datën e caktuar.

Britanikët kanë votuar pro daljes nga BE në referendumin e 2016. Por përpara zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit, deputetët kanë penguar sistematikisht përpjekjet si të kryeministrit Boris Xhonson, ashtu edhe të paraardhëses së tij Tereza Mej, për të siguruar mbështetje në planet e tyre për Brexit.

Sidoqoftë, premtimi i përsëritur i Xhonson për ta realizuar Brexitin në 31 janar, nisja e procesit do jetë vetëm fillesa e etapës së parë për daljen e vendit nga BE. Britania dhe BE do duhet të nisin negociata për marrëdhënien e tyre të ardhshme, në një garë për të arritur marrëveshje të reja për tregtinë, sigurinë dhe një mori fushash të tjera deri në fund të vitit 2020.

“Largimi nga BE, nuk do të thotë se e kryem Brexit-in”, tha një zëdhënës i Partisë Laburiste në opozitë.

“Ne plotësuam hapin e parë, largimin, por etapat e vështira i kemi ende përpara”.

Zyrtarët e lartë në Britani e BE thonë se arritja e një marrëveshje të re do jetë shumë e vështirë. Negociatori i BE për Brexit-in, Mishel Barier thotë se insistimi i Xhonson për të arritur një marrëveshje të tregtisë së lirë brenda fundit të 2020-ës nuk është realist.

“Ne nuk presim të biem dakord në çdo aspekt të këtij partneriteti të ri”, tha Barnier, duke shtuar se “ne jemi gati të bëjmë më të mirën në 11 muaj”.

Kryeministri Xhonson thotë se Mbretëria e Bashkuar po kërkon një marrëveshje të gjerë të tregtisë së lirë me Unionin, por nuk do të pranojë të respektojë të gjitha rregullat e standardet e BE. Ç’ka kërkon është liria për të vepruar e kërkuar marrëveshje të reja tregtare në të gjithë botën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!