Nga Indro Montanelli
Mësimi amerikan i Montanellit
Një letër e fillimit te 1950 për fituesin e çmimit Pulitzer Edmund Stevens: duke krahasuar dobësitë e dy popujve.
I dashur Edmund
Unë kam disa kundërshtime për gjykimet e tua mbi hipokrizinë amerikane. Para së gjithash, nuk e kam vënë re që hipokrizia është më e përhapur në Amerikë sesa në vendet e tjera: në Itali, për shembull. Kam vene re vetëm se është e një natyre tjetër. Tek ne hipokrizia nuk është një fakt shoqëror. I përket grupit të nismave private dhe të gjithë e ushtrojnë për qëllime personale. Italianët, për shembull, nuk do të bien kurrë dakord mes tyre për të mbështetur një gënjeshtër të dobishme për interesat e shtetit apo të një klase, siç ndodh me ju, ku herë pas here hidhen gënjeshtra të mëdha kolektive, të cilat të gjithë përpiqen të bëjnë sikur i besojnë. Në Itali as diktatura fashiste nuk mundi ta impononte konformitetin. Njerëzit duartrokitën Musolinin, por i lejuan atij vetëm minimumin e nevojshëm për të vazhduar jetën në paqe. Italo Balbo, guvernatori i Libisë, të cilin dikur e vizitova në Tripoli, më tha, duke treguar uniformën e tij me këmishë të zezë: “A e sheh çfarë duhet të bëj për të mbajtur familjen time?” Dhe është pothuajse e njëjta përgjigje që Rossini i vjetër i dha të riut Wagner, kur ky e pyeti përse e kishte ndërprerë kompozimin. “Ç’të them? Më parë, kur më duhej të mbaja shumë fëmijë, isha i detyruar të besoja në rëndësinë e muzikës. Por tani fëmijët e mi janë rritur dhe e sigurojnë vetë jetesën…”.
Hipokrizia në Itali diktohet nga sensi i “mundësisë”. Është e vogël, praktike dhe utilitare. Kur një italian kërkon të ndryshojë parti, nuk bën ndonje analizë ndërgjegjeje; mjaftohet me llogaritjet e interesit.
Rreth pesëdhjetë vjet më parë, në Capri, një familje e pasur angleze pati idenë të konvertonte banorët në protestantë. Dhe në një farë mënyre ia doli sepse të gjithë ata që konvertoheshin kishin të drejtë të hanin falas. Por në një moment u zbulua se çdo të dielë ata shkonin për t’u rrëfyer te një prift katolik që u kishte dhënë leje. Ndërkohë misionarët kishin rënë plotësisht në mjerim, sepse pasuesit e tyre besim kishin pak, por oreks kishin shumë. Dhe atehere ishin “hipokritët” që i mbajtën, pa ju kërkuar në këmbim konvertimin në katolicizëm.
Jo, nuk ka hipokrizi të vërtetë në Itali; por nuk ka për arsyen e thjeshtë dhe aspak fisnike që italianët nuk kanë një Ideal. Ata e pranojnë veten ashtu sic jane. Nuk përpiqen të jenë të ndryshëm apo më të mirë se ç’janë. Në Amerikë, hipokrizia lind pikërisht nga kjo përpjekje. Gruaja amerikane e cila para se të bëjë dashuri me një burrë që nuk është bashkëshorti i saj, pi, edhe për të nxitur dëshirat e saj me alkool, por mbi të gjitha për të besuar të nesërmen se ka vepruar “jashtë kontrollit”, është sigurisht një hipokrite; por kjo ndodh sepse ajo ka një ide të ndershmërisë dhe pastërtisë që duhet ta ruajë nga dobësitë e veta. Më kujtohet habia dhe indinjata ime kur, pas përvojës sime të parë erotike amerikane, u trajtova me nje ftohtësi ekstreme nga partnerja ime, e cila refuzoi edhe të më fliste. Unë u tërbova. Si një italian tipik, me dukej ofenduese dhe poshtëruese që një grua të harronte apo ndjente neveri për një natë dashurie me mua. Dhe nuk arrita t’ja falja.
As tani ky qëndrim, natyrisht, nuk më pëlqen; por mendoj se i kuptoj arsyet. Dhe mendja ime i pranon ato, edhe pse temperamenti im i refuzon.
Ju jeni hipokritë edhe në politikë: kur merrni rolin e antikolonialisteve për shembull, ju që jeni fëmijët dhe trashëgimtarët e kolonizimit më të pamëshirshëm në historinë e botës. Gjuha që keni kur flisni në OKB do të ishte e mrekullueshme në gojët e lëkurëkuqve; por në gojët e atyre që shfarosën lëkurëkuqtë, më lejoni t’ju them se stonon pak. Ju luftoni francezët në Afrikën e Veriut duke u vendosur në krah të indigjenëve, edhe pse francezët kanë bërë shumë më pak kundër tyre sesa ju kundër indigjeneve tuaj. Tani, të themi të vërtetën, ju i trajtoni lëkurëkuqtë shumë më ndershmërisht dhe me njerzillëk sesa francezët trajtojnë arabët. Por e keni edhe më të lehtë, pasi i keni katandisur ata në një pakicë të vogël që, edhe pse plotësisht e barabartë me të bardhët në ligje dhe të drejta, nuk mund të konkurrojë me ta. Ju i pengoni evropianët të bëjnë, në Afrikë dhe Azi, atë që baballarët tuaj, po ashtu evropianë, bënë në Amerikë. Politikisht ndoshta keni të drejtë. Por këtë mund ta them unë, bashkatdhetar dhe nxënës i Makiavelit, i cili më mësoi dallimin midis politikës dhe moralit. Jo ti. Për ty si amerikan, politika dhe morali duhet të përkojnë. Dhe ndonjëherë, duhet ta pranosh, përkojnë keq. Aq sa më kujtohet ajo që Disraeli thoshte për Gladstone: “Unë nuk e qortoj që ben me hile në lojë: çdo politikan e bën këtë. Unë e qortoj kur thote se ishte Zoti që ia vuri letrën në mëngë”.
E megjithatë, unë e admiroj hipokrizinë tuaj dhe e kuptoj që ajo përfaqëson një forcë shoqërore me vlerë të pallogaritshme. Roosevelt qe një hipokrit i madh kur “detyroi” japonezët të sulmonin Pearl Harborin ndërsa u betohej nënave amerikane që kurrë fëmijët e tyre nuk do të luftonin një luftë të huaj. Por me atë hipokrizi ai ju vuri në anën e së mirës kundër së keqes dhe u dha ushtarëve amerikanë një armë shumë më të fuqishme se bomba atomike: të Drejtën. Me pak fjalë, ky puritan, u tregua një Makiavel i mirë katolik, shumë më makiavelist se Musolini ynë i gjorë, që fliste shumë për Makiavelin por nuk kuptonte asgjë prej tij.
Ç’rëndësi ka në fund të fundit? E gjithë kjo hipokrizi “emergjence” nuk e pengon jetën amerikane të ketë edhe disa nga marrëdhëniet njerëzore më të thjeshta, më të drejtpërdrejta dhe më të përzemërta në botë. Në Italinë e “sinqertë” une nuk e di kurrë se deri ky t’i besoj një miku dhe deri ku të dyshoj tek armiku. Kurse këtu, e di shumë mirë. Kur dikush në Nju Jork më fton për mëngjes, jam i sigurt që, duke pranuar, do t’i jap një kënaqësi. Në Romë jo, ose të paktën jo gjithmonë.
Si përfundim, mbetem i mendimit se hipokrizia është haraçi i detyrueshëm që Mëkati i paguan Virtytit. Por ky Virtyt duhet të ekzistojë, që një popull t’i paguajë haraç. Në Amerikë ekziston. Ekziston në përpjekjen që çdo amerikan bën, pak a shumë në mirëbesim, për të qenë i virtytshëm. Jo gjithmonë ia del, por pothuajse gjithmonë ja propozon vetes. Në fund të secilit prej tyre fle një Jefferson, i bindur fort se mjafton ta duash të mirën që ajo të mbizotërojë në tokë.
Ne këtë besim naiv e kemi humbur prej shekujsh. Dhe pikërisht për këtë arsye jemi te përshtatshëm për t’u bërë koloni e një populli puritan, hipokrit dhe të fortë. Nëse ju vazhdoni të jeni antikolonialiste, do të përfitojë dikush tjetër, puritan edhe ai në mënyren e tij, por më hipokrit se ju.
Mendojeni një herë.
Përktheu Sonila Gjuzi
/abcnews.al