Me mandatin e SPAK në dorë, policia zbarkoi në vilën e Lefter Kokës në Durrës: Si i vunë prangat ish-ministrit

schedule13:16 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 13:16 - 14 Dhjetor, 2021

Ish-ministri Lefter Koka provoi prangat në duart e tij paraditen e sotme teksa ndodhej në vilën e tij në qytetin bregdetar të Durrësit. Punonjës të policisë shkuan atje bashkë me mandatin e arrestit lëshuar nga SPAK duke i kërkuar Kokës që të shkonte me ta.

Koka u arrestua në lidhje me dosjen e inceneratorëve, ku sipas SPAK ai ka shpërdoruar detyrën dhe ka kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv” teksa ishte ministër i Mjedisit. Skandali i inceneatorëve vijon prej vitesh në vend, por duket se Koka është i pari i arrestuar në lidhje me dosjen e bujshme, e cila i ka shkaktuar shqiptarëve një dëm të madh ekonomik.

Mësohet se krahas Kokës janë arrestuar edhe dy persona të tjerë. Për të tre ata do të japë detaje gjatë ditës nëpërmjet një reagimi zyrtar.

Pak muaj më parë PD paditi Lefter Kokën në lidhje me vendimet e dhëna që çuan në hapjen e inceneatorëve. Në padi, demokratët theksuan se Koka kishte shpërdoruar detyrën nëpërmjet lejimit dhënies së lejeve mjedisore për inceneatorët. Krahas PD-së, në SPAK ishte dërguar një padi edhe nga LSI me të njëjtën objekt për Kokën.

Ish-ministri i ka mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tij duke theksuar se bëhen për qëllime të pastra politike, megjithatë tashmë i përket SPAK-ut që të vërtetojë akuzat në GJKKO kur të kërkojë masën e sigurisë për Kokën.

Koka fitoi mandatin e deputetit me PS-në në zgjedhjet e prillit 2021, por pak ditë më vonë e lëshoi mandatin për arsye që nuk i shpjegoi asnjëherë.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!