Me lista të ndara, zbardhet marrëveshja e koalicionit mes PD dhe LSI

schedule10:12 - 1 Mars, 2021

schedule 10:12 - 1 Mars, 2021

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhit dhe kreu i PD Lulzim Basha firmosën sot e marrëveshjen për zgjedhjet. Dy forcat politike kanë vendosur të garojnë me lista të ndara në 25 prill.

Kjo marrëveshje përmban 13 pika, ku fokusi është nxjerrja e vendit nga kriza.

“Si Opozitë e Bashkuar, PD dhe LSI do të konkurojnë në zgjedhje me dy lista (PD-AN + LSI), për të realizuar një përfaqësim të plotë dhe sa më gjithëpërfshirës politiko-elektoral dhe kurorëzimin e fitores së Opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Të respektojnë shtyllat themelore programore të të dy partive respektive në qeverisjen e ardhshme.

Përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e marrëveshjes.

Deklarata e plotë e marrëveshjes: 

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim,

Me angazhimin solemn për të zgjidhur problemet kritike kushtetuese, institucionale, politike, ekonomike, sociale si dhe ato të shëndetit publik, me të cilat përballet vendi dhe që e kanë çuar situatën në Shqipëri në një udhëkryq tepër të rrezikshëm;

Mbështetur dhe në vijim të marrëveshjes së krijimit të Opozitës së Bashkuar, të datës 23/04/2019;

Në përgjigje të ndryshimeve arbitrare, antikushtetuese të Kodit Zgjedhor dhe të Kushtetutës së Shqipërisë të datës 30 Korrik, 2020;

Me synimin për t’i dhënë Shqipërisë një qeverisje të re, ‘nga njerëzit – për njerëzit’, e cila do t’i japë fund polarizimit të tejskajshëm, politik, ekonomik dhe social, që ka vendi, t’i kthejë atyre besimin për ndërtimin e Shqipërisë si gjithë Europa, duke krijuar mundësi për punësim të mirëpaguar, duke çliruar ekonominë dhe duke i ofruar çdo qytetari, të rinjve dhe grave, sipërmarrësve dhe pensionistëve, mundësi reale për mirëqenie dhe prosperitet.

Vendosin:

Përballimi dhe zgjidhja e problemeve kritike të vendit do të jenë objektivi themelor i programeve elektorale në zgjedhjet e 25 prillit dhe shtyllat e Programit Qeverisës të përbashkët pas fitores së zgjedhjeve.

Si Opozitë e Bashkuar, PD dhe LSI do të konkurojnë në zgjedhje me dy lista (PD-AN + LSI), për të realizuar një përfaqësim të plotë dhe sa më gjithëpërfshirës politiko-elektoral dhe kurorëzimin e fitores së Opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Të respektojnë shtyllat themelore programore të të dy partive respektive në qeverisjen e ardhshme.

Përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor.

Opozita e Bashkuar do të jetë unanime në angazhimin e tyre në qeverisje për t’i dhënë përgjigje dhe zgjidhje të mënjëhershme për sa më poshtë vijon:

1. Nxjerrjen e vendit nga kriza shumë e rëndë ekonomike e shkaktuar nga qeverisja klienteliste dhe bashkëpunëtore e oligarkisë dhe e krimit. Rikthimi i ekonomisë në funksion të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i dhënë fund grabitjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, përmes konçesioneve, oligarkëve, korrupsionit me paratë publike, që ka pushtuar çdo nivel të qeverisjes. Ky transformim ekonomik do të realizohet me një program të qartë dhe të diskutuar gjerësisht me qytetarët dhe grupet e interesit.
2. Përmbushjen e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe dhënien fund të çdo pengese të krijuar nga qeverisja aktuale për këtë proces jetik për të gjithë shqiptarët si dhe për mobilizimin e të gjithë faktorëve politikë dhe të shoqërisë civile për realizimin e këtij objektivi.
3. Rivendosja e shtetit të së drejtës dhe e sundimit të ligjit, çlirimin e shtetit nga kapja, rikthimin e llogaridhënies, duke i dhënë fund abuzimit dhe shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve, pandëshkueshmërisë së zyrtarëve publikë dhe fenomeneve shkatërruese si korrupsioni dhe uzurpimi i pushtetit për përfitime dhe interesa vetjake.
4. Ndërtimin e një aksioni qeveritar intensiv për të frenuar shpopullimin masiv.
5. Prioritarizimin e krijimit të punësimit të mirëpaguar, si rruga kryesore për të përmirësuar jetën e shqiptarëve.
6. Realizimin e një programi qeverisës me prioritet rininë, për një arsimim cilësor dhe mundësi të gjera punësimi të saj, për të eleminuar tragjedinë e shpopullimit dhe largimit masiv të të rinjve dhe për integrimin e mëtejshëm në drejtim, në politikëbërje dhe në shoqëri.
7. Për të garantuar mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje, për emancipimin dhe fuqizimin e saj në shoqëri dhe politikëbërje.
8. Për të realizuar një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafiqeve të çdo lloji dhe pastrimit të parave të pista, si shkaqe penguese kryesore për zhvillimin e vendit dhe sigurinë publike të qytetarëve.
9. Për të zgjidhur në mënyrë prioritare problemin e rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga tërmetet. Për një proçes shumë të shpejtë, jokorruptiv e selektiv dhe me garanci juridike për pronën e tyre, që u mundëson qytetarëve të kenë në kohën më të shpejtë të mundshme njësitë e banimit apo të shërbimit.
10. Për t’i dhënë fund problemit kritik të pandemisë COVID-19, duke zbatuar një plan shëndetësor-social, i cili i jep përgjigje kufizimit të përhapjes, realizimin e testimeve, gjurmimeve dhe trajtimeve mjekësore, rimbursimin e shpenzimeve për pacientët, që trajtohen në banesë, vaksinimin e gjerë të popullatës larg trajtimit diskriminues. Për të realizuar planin e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe mbështetjes së qytetarëve dhe biznesit të prekur nga pandemia.
11. Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit.
12. Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për t’i dhënë fund dëmtimit, tjetërsimit dhe asgjësimit të saj.
13. Për garantimin e rikthimit të pronave për komunitetet fetare në vendin tonë.

Për Partinë Demokratike Për Lëvizja Socialiste për Integrim

LULZIM BASHA MONIKA KRYEMADHI

Kryetari Kryetare

Firmosur në Tiranë, sot, më datë 01 Mars 2021.

g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!