“Më kanë rrethuar shtëpinë”, incident në Divjakë, 20 në hetim, policia: Militantët bllokuan rrugën

schedule11:53 - 25 Prill, 2021

schedule 11:53 - 25 Prill, 2021

20 qytetarë janë proceduar penalisht për një incident që ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:35 në Divjakë. Policia thotë se mori një telefonatë për ndihmë nga një qytetare e cila ishte shprehur se përreth banesës së saj ka grumbullim personash  dhe automjetesh.

Po sipas policisë, kur efektivët shkuan në vendin e ngjarjes konstatuan se ishin grumbulluar disa mbështetës të një subjekti politik, të cilin nuk e specifikon, të cilët “pasi u pyetën nga policia, pretendonin se ishin për mbrojtjen e votës së lirë”.

Policia deklaron se i gjobiti për orën policore dhe u kërkoi të iknin në shtëpi, por shton se qytetarët refuzuan dhe bashkë me ta u bashkuan edhe drejtues politikë të kësaj partie me disa simpatizantë të tjerë të cilët bllokuan rrugën.

Por kush janë të përfshirë?

Burime nga policia thanë për gazetaren e ABC, Valbona Davidhi se gjithçka ka nisur nga denoncimi i dy simpatizantëve të PD-së nënë e bir, se kryetarja e fshatit po shpërndante lekë në disa banesa natën për vota. U njoftua policia dhe drejtuesit e PD-së.

Në vendin e ngjarjes, shtëpisë që u rrethua po sipas policisë shkuan drejtuesi politik i PD-së në Fier, Alibeaj së bashku me disa nga kandidatët e tjerë të listës Saimir Koreshi dhe Ilda Dhori. Enkelejd Alibeaj ka denoncuar rastin në SPAK, pra kryetaren e fshatit me inicialet K.B.

DEKLARATA E PLOTE E POLICISE

Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, filloi procedimi penal për shtetasit:

  1. A., S. K., I. Dh., E. V., A. M., S. S., L. Z., H. D., L. Zh., F. M., A. M., A. B., A. K., A. P., A. K., L. Rr., A. K., D. S., A. Sh., F. Sh.

Në datë 24.04.2021, në orën 22:35, në Sallën Operative ka telefonuar një qytetare e cila thot se në fshatin Shën e Premte, Divjakë, përreth banesës së saj ka grumbullim personash  dhe automjetesh.

Pas telefonatës, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe konstatuan se përreth banesës së shtetases K. G ishin grumbulluar disa mbështetës të një subjekti politik, të cilët pasi u pyetën nga policia, pretendonin se ishin për mbrojtjen e votës së lirë.

Për këta shtetas u morë masa administrative për shkelje të aktit normativ dhe i’u kërkua që të shkonin në banesat e tyre.

Në këto momente në vendngjarje kanë mbërritur edhe drejtues politikë të kësaj partie me disa simpatizantë të tjerë të cilët edhe pas thirrjeve që ju bëri Policia për t’u larguar, bllokuan rrugën.

Në vijim të veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë dhe me Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Fier, u proceduan në gjëndje të lirë 20 shtetas për veprat penale “Organizime dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!