Arlind Ajeti është rikthyer pas një kohe të gjatë në kombëtare, teksa fitoi një ftesë nga Reja së fundmi për shkak të formës së dobët fizike të Dermakut. Mbrojtësi ka folur sot në konferencë për mediet për rikthimin dhe ndeshjet e ardhshme.
GRUMBULLIMI – “Më ka munguar Kombëtarja. Në Serinë B, jemi të gjithë lojtarët që kemi luajtur rregullisht. Kemi besim se do dalim mirë në ndeshjen e ardhshme. Mua më duket se ka kaluar një kohë e gjatë që nuk luaj për Kombëtaren. Jam shumë i lumtur që jam rikthyer. Kombëtarja ka qenë një grup i mirë, njëjtë si tani”.
NDESHJET – “Trajneri e di si do i përgatisim këto ndeshje. Në klubet tanë kemi dhënë maksimumin. Te Kombëtarja luajmë me zemër dhe me shpirt. Duhet të bëjmë mirë ndaj të gjithë kundërshtarëve. Shpresojmë që nga ndeshjet e ardhshme të marrim maksimumin. Do futemi në fushë për të marrë maksimumin.
Sidomos me Andorrën, nuk duhet ta nënvlerësojmë, pasi e kemi parë në të kaluarën se na kanë hapur probleme. Ne të gjithë e njohim njëri tjetrin. Nuk kemi ardhur nga pushimet, por jemi stërvitur me skuadrat tonë. Njohja e njëri-tjetrit, e bën më të lehtë, pasi nuk jemi një skuadër e re. Nuk kemi pasur shumë kohë, por mendoj se do ia dalim”.
ANDORRA – “Nuk duhet ta nënvlerësojmë kundërshtarin. Mjafton të kujtojmë ndeshjet e kaluara. Ne e dimë se çfarë na pret. Duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja dhe te ato që na thotë trajneri”, tha Ajeti.