Policia e Tiranës ka arrestuar gjatë 24 orëve të fundit pesë qytetarë, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale, siç janë dhuna në familja apo vjedhja.
Një ndër rastet më specifike është ajo e dhunës në familje, ku djali ka dhunuar babain duke i kërkuar para. Kur ka parë që i ati nuk ia plotësoi dëshirën, 33 vjeçari e ka kërcënuar atë me jetë duke vijuar ushtrimin e dhunës.
Ndërkohë, një 32 vjeçar u arrestua për shkak se ushtroi dhunë ndaj kunatës së tij.
Njoftimi i policisë
Tiranë
Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë vënë në pranga 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
-Nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u ndalua për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasi R. Ç., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi në banesën e tij ka kanosur me jetë babain e tij, si dhe i ka kërkuar para duke ushtruar dhunë psikologjike.
-Gjithashtu, nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u ndalua për veprën penale “Vjedhja”, shtetasi F. K., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi në bazë të procedimit penal të vitit 2019 ka rezultuar si autor i dyshuar i vjedhjes së një biçiklete dhe disa pijeve alkoolike në një supermarket.
– Nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasi G. M., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj kunatës së tij.
– Nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim F. O., 20 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 9 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”.
– Nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim I. Sh., 54 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.