Të zgjedhësh më të mirin e historisë së Premier League është e vështirë, por Juan Mata nuk ka dyshime. Fantazisti spanjoll luan prej 9 vitesh në ishull, kohë që e ka kaluar si lojtar i Chelsea dhe Manchester United.
31-vjeçari ka zgjedhur Eden Hazard si më të mirin në një bisedë për sajtin zyrtar të “Djajve të Kuq”, pjesë e të cilëve është prej janarit të vitit 2014. Mata përmend edhe emra të tjerë të mëdhenj, por belgu i Real Madrid është special.
“Lojtari më i mirë i historisë së Premier League? Më ka pëlqyer gjithmonë të luaja përkrah tij dhe kundër tij. Për mendimin tim, ai ka qenë për shumë vite më i miri i kampionatit, kështu që zgjedh Eden Hazard. Ai mund t’i fitonte i vetëm ndeshjet.
Jam stërvitur me të, e di se sa i aftë që është. Te Reali nuk ka pasur fat prej dëmtimeve, por jam i sigurt që do tregojë vlerat e tij pas rikthimit. Lojtarë të tjerë të fortë? Rooney, Scholes dhe Giggs, ndërsa nga Chelsea zgjedh Drogba, Lampard dhe Terry“, përfundon Juan Mata. /abcnews.al