Me dy emra dhe i kërkuar ne Greqi, të fshehtat e Eduart Lamajt që kreu vrasjen e dyfishtë në Laç

schedule15:57 - 23 Qershor, 2020

schedule 15:57 - 23 Qershor, 2020

Eduart Lamaj, i arrestuar ditën e sotme si i dyshuar kryesor për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në Laç është person me precedent të mëparshëm penalë në fushën e trafikut të drogës.

Zyrtarisht, burime të policisë konfirmojnë për ABC News se emri i tij i mëparshëm ka qenë Leandro Simoni. I riu nga Laçi është në kërkim edhe nga policia greke, si anëtar i një organizate kriminale në trafikun e drogës.

Prej 20 ditësh, i riu nga Laçi strehohej në banesën e motrës së ti në kryeqytet. Lamaj u arrestua në momentin që po mjekonte plagën që kishte marrë në këmbë si pasojë e shkëmbimit të zjarrit të ndodhur më 30 maj në zonën e Laçit.

Edhe pse i veshur me antiplumb, ditën e ngjarjes, Lamaj kishte marrë një plagë në këmbë, pas të shtënave që Bujar Lika, i njohur ndryshe edhe me mbiemrin Hasani qëlloi ndaj autorëve para se të vritej nga breshëria e plumbave të kallashnikovit.

Që prej mbrëmjes së 30 Majit të këtij viti, 30 vjeçari ishte strehuar në banesën e të motrës, për t’i shpëtuar edhe arrestimit të policisë.

Prova më e fortë për grupin hetimor, është përgjigja e ADN-së të njollës së gjakut që Lamaj kishte lënë në hotelin ku ndodhi krimi, si dhe pamjet e kamerave të sigurisë.

LEXO EDHE: Vrasja e dyfishtë, zbardhet dëshmia e Lamajt: Nuk i njihja, kisha konflikt me pronarin e hotelit

Para hetuesve ai pranoi autorësinë e ngjarjes, duke treguar edhe emrat e 3 bashkëpunëtorëve të tjerë, të shpallur tashmë në kërkim. Por alibia e dhënë prej tij është e pabesueshme për policinë.

Eduart Lamaj ka dëshmuar se nuk i njihte viktimat, por se kishte shkuar në hotel për shkak se kishte kishte pasur konflikt për çështje borxhi me pronarin e këtij biznesi, Ali Allamanin. Por ky i fundit, sipas burimeve ndodhet në burg. Kamerat e sigurisë kanë zbuluar se i pari që ka hapur zjarr është Eduard Lamaj, i veshur me uniformë policie.

Eduard Lamaj mjekohej në spitalin privat “Amavita” i ndodhur në zonën e “Qyteti Studentit” në Tiranë. Bashkë me 30 vjeçarion nga Laçi, policia arrestoi edhe dy mjekët të cilët po e mjekonin atë.

Me akuzën e moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, u prangosën ortopedi nga Lezha, Viktor Marku, 42 vjeç, si dhe kirurgu i Spitalin Ushtarak, Besnik Lame, 46 vjeç.

Burime pranë policisë sqaruan se të dy mjekët dyshohet të kenë marrë një shumë parashë për të kryer operacionin në fshehtësi, por nuk kanë dhënë asnjë shpjegim para hetuesve. Prej një jave, policia e mbajti Lamajn nën përgjim e vëzhgim për të zbuluar vendndodhjen e tij, Ndërsa ditën e hënë ai u paraqit në spitalin Amavita.

Ndërkohë, pas ngjarjes, policia vuri në pranga edhe 21 vjeçarin Kreshnik Tushaj, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Por që në krye të herës, i riu ka mohuar akuzën duke treguar se ishte plagosur nga një makinë në lëvizje në derën e banesës së tij, e cila ndodhej në një rrugicë pranë hotelit ku ndodhi vrasja.

Por  tashmë, dëshminë që dha i arrestuari Eduard Lamaj, vërtetoi se 21 vjeçari Tushaj ishte qëlluar nga autorët me mbi dyshimet se mund të ishte person që i kishte zënë atyre pritë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!