“Më duhej një ndryshim”, Milinkovic-Savic: Al-Hilal ekip me histori

schedule22:56 - 24 Korrik, 2023

schedule 22:56 - 24 Korrik, 2023

Pasi u transferua vetëm disa ditë më parë nga “shqiponjat” e Lazio drejt sauditëve të Al-Hilal, për vlerën e 40 milionë eurove, mesfushori serb, Sergej Milinkovic-Savic ka thënë ditën e sotme dhe fjalët e para si lojtar i arabëve.

Në një deklaratë zyrtare nën logon e klubit të ri, Milinkovic-Savic  ka shpjeguar gjithçka sa i përket transferimit, i cili ndodhi shumë shpejt. Përveç transferimit, “ylli” serb foli dhe për skuadrën e tij të re, si dhe për pritjen e bërë nga tifozët.

Aventura e re për Sergej Milinkovic-Savic sapo ka nisur, ndërsa mesfushori ka dhënë edhe deklaratën e parë zyrtare duke shpjeguar gjithçka, sa i përket këtij transferimi.

“Gjithçka filloi gjatë pushimeve. Agjentët e mi më njoftuan për ofertën e Al-Hilal. Të them të drejtën fillimisht nuk dija si t’i përgjigjesha, por më pas u informova dhe vendosa të pranoja. Më duhej një ndryshim dhe ja ku jemi.

Al-Hilal? Është një skuadër shumë e mirë, me traditë dhe që luan për trofe. Më parë ne erdhëm këtu për të luajtur Superkupën e Italisë (2019) dhe u stërvitëm në stadiumin e Al-Hilal, isha në dijeni të skuadrës edhe përpara ofertës. Këtu kam kujtime të bukura sepse atë edicion triumfuan me Lazion.

Unë jam këtu për të ndihmuar skuadrën që të përmbushë objektivat dhe natyrisht dua edhe të rritem më shumë personalisht. Pritja? Shumë tifozë më kanë shkruar në rrjetet sociale, jam shumë i lumtur me këtë pritje”,- u shpreh Milinkovic-Savic. /i.m /abcnews.al