“Më djeg shpirti për Besën! Partizani? Do doja t’i drejtoja një ditë”

schedule17:00 - 15 Prill, 2020

schedule 17:00 - 15 Prill, 2020

Skerdilajd Curri, si futbollist ka luajtur për disa sezone në Gjermani, periudhën më të madhe me AUE edhe në Bundesliga 2.  Në vendin tonë ai luajti fillimisht me Besën, skuadrën e vendlindjes, ndërsa më pas veshi edhe fanellën e Partizanit. Në vitin 1997 u largua drejt Gjermanisë.

Curri, në emisionin “Fan Zone” në Supersport, kujtoi vitet që luajti futboll në vendin tonë dhe jo vetëm. “Bëra futbollin e pastër dhe nuk u përfshiva në skenat e pista që bëheshin atë kohë.

Ne e shikonin futbollin gjerman nga TV, dhe kur e shikon ashtu të duket i lehtë, por kur e provon është ndryshme. Unë erdha këtu, po kisha shumë probleme, trupi i vogël fiziku, etj. Duheshin vite që të përshtatesha.

Ajo që më mbajti mua ishte teknika e lartë. Kur unë u mësova me këtë, arrita pikën e duhur për të shpërthyer në Bundesliga 2″, u shpreh Curri, i cili kujton edhe një ndeshje të veçantë në kampionatin shqiptar.

“Kur po kërkoja në arkivat e mia, gjeta ndeshjen që kishim luajtur Partizani-Teuta. 6 muaj më vonë u largova nga Shqipëria dhe nuk e di nëse është mbushur ndonjëherë stadiumi aq plot. Ka qenë një ndeshje shumë e bukur”, tregon Curri.

Ish-mesfushori tregon edhe një dëshirë, kur pyetet nëse e sheh si opsion një rikthim në Shqipëri, për të drejtuar një skuadër. “Kurrë mos thuaj kurrë. Do kisha dëshirë të stërvisja Partizanin. Edhe pse kam projekte të mëdha, nëse do më vinte një ofertë, do mendohesha. Vjet e kam ndjekur kampionatin më shumë, pasi Partizani u kthye në nivele të larta”.

Në fund nuk mund të mungojë një koment edhe për situatën në të cilën ndodhet Besa. “Të djeg shpirti kur e shikon Besën në atë gjendje. Nëse ka një projekt për t’u ngjitur ky ekip më lart, ateherë edhe unë do të isha i gatshëm të jepja një ndihmë”, deklaroi Curri. / abcnews.al