“Më bezdisin me këtë shprehje, ka ndryshim të madh mes Italisë dhe Anglisë”

schedule12:58 - 11 Shkurt, 2020

schedule 12:58 - 11 Shkurt, 2020

Carlo Ancelotti ka dhënë një prononcim shumë interesant për Corriere della Sera. Trajneri i njohur italian u shkarkua nga stoli i Napolit në dhjetor dhe i mjaftuan pak ditë për të nisur aventurën e re tek Evertoni. Carleto tregon ndryshimin midis Italisë dhe Anglisë, rrëfen bisedën me Aurelio De Laurentiis, presidentin e Napolit, dhe e mbyll me fjalët që e shqetësojnë dhe bezdisin shumë.

NDRYSHIMI – “Nëse dikush është mësuar me futbollin italian, ai gjen një botë tjetër në Angli. Nuk flas për intensitetin e lojës, nuk është kjo që bën ndryshimin. Këtu ekziston një ambient ndryshe. Në Angli nuk të ofendon kush, fyerjet janë të bezdisshme. Në disa stadiume të Italisë të krijohet ideja sikur njerëzit të urrejnë. Dikush qëndron pas pankinës tënde dhe vjell vrer për 90 minuta. Këtu është e paimagjinueshme diçka e tillë”.

NAPOLI – “Kisha 9 vite jashtë Italisë dhe dëshiroja të kthehesha. Napoli ishte një opsion shumë interesant. Le të themi që aventura ime nuk përfundoi mirë, por ishte një eksperiencë pozitive. Të jetosh në Napoli është një nga përjetimet më të bukura që mund t’i ndodhë dikujt”.

SHKARKIMI – “De Laurentiis më tha: ‘Kam menduar të bëj ndryshime‘. ‘Je i sigurt?’, e pyeta dhe ai m’u përgjigj se po. Në atë moment i thashë: ‘Ok, po kërkoj për një skuadër tjetër‘. Nuk dëshiroja të qëndroja pushim dhe të merrja rrogën pa punuar. Të jesh trajner në Angli është emocionuese dhe klubi i Evertonit është shumë ambicioz”.

SHQETËSIMI – “Kur gjërat nuk shkojnë mirë më thonë: ‘Ah, duhet të përdorësh kamxhikun, je shumë i mirë dhe i sjellshëm me lojtarët‘. Unë u përgjigjem se drejtuesit e klubit më njohin mirë. Pse duhet të ndryshoj stilin tim, mënyrën time të të qenurit. Ky jam unë dhe kështu kam arritur suksese. Është e gabuar kur më thonë që duhet të përdor kamxhikun. Por nuk ka ndodhur vetëm te Napoli kjo gjë. Momente të vështira kam pasur edhe te Chelsea e PSG”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!