Gjashtë javë pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA, kreu i shumicës republikane në senatin amerikan, Mitch McConnell pranoi e Joe Biden.
Senatori McConnell përgëzoi Biden ndërsa presidenti Donald Trump vazhdoi pretendimet e tij të pabazuara se mashtrimet me votimet e privuan atë nga rizgjedhja.
McConnell, i cili nuk e kishte pranuar deri tani se Biden kishte fituar, tha në një fjalim në Senat se Kolegji Zgjedhor konfirmoi të hënën fitoren e presidentit të zgjedhur me 306 vota elektorale, kundrejt 232 për presidentin Trump.
“Vendi ynë ka zyrtarisht një president të zgjedhur dhe një nënpresidente të zgjedhur,” tha McConnell.
“Miliona prej nesh kishin shpresuar që zgjedhjet presidenciale do të jepnin një rezultat tjetër. Por sistemi ynë i qeverisjes ka procese për të përcaktuar se kush do të bëjë betimin më 20 Janar. Kolegji Zgjedhor e tha fjalën e tij.”
“Kështu që sot dua të përgëzoj presidentin e zgjedhur Joe Biden,” tha senatori McConnell.
“Presidenti i zgjedhur nuk është një emër i panjohur për Senatin. Ai i është përkushtuar shërbimit publik prej shumë vitesh. Dua gjithashtu të përgëzoj nënpresidenten e zgjedhur, kolegen tonë nga Kalifornia, Kamala Harris. Të gjithë amerikanët kanë të drejtë të krenohen se vendi ynë ka për herë të pare një nën-presidente të zgjedhur”.
Presidenti Trump nuk reagoi menjëherë pasi senatori McConnell pranoi se Biden do të jetë presidenti i 46-të i vendit./abcnews.al

