Mbyllet procesi i votimit në Mal të Zi. Gazetarja Linda Karadaku raporton se pjesëmarrja ka qenë 56.4 për qind, më e ulët sesa në zgjedhjet presidenciale dhe në ato të mëparshmet parlamentare. Në këto zgjedhje garojnë 15 parti dhe koalicione për 81 vende në parlament.
Sipas analistëve malazezë dhe të anketimeve të ndryshme pritet të kryesojë lëvizja “Evropa Tani”, e cila u formua në mesin e vitit të kaluar dhe të cilës i përket edhe presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.
Vetë presidenti pasi hodhi votën paraditen e sotme, kërkoi nga qytetarët të marrin pjesë në votime për të vendosur për të ardhmen e tyre. Ndërkaq, si forcë e dytë në këto zgjedhje pritet të dalë Partia Demokratike e Socialistëve, e ish-presidentit Milo Gjukanoviç, e cila për herë të parë shkon në zgjedhje me një udhëheqës të ri dhe në koalicion me disa parti të vogla.
Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit me mandat të përkohshëm Dritan Abazoviç, dhe Demokratët e Aleksa Beçiç kandidojnë së bashku. Në këto zgjedhje marrin pjesë edhe dy koalicione të partive shqiptare: Forumi Shqiptar me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin me përvojë Genc Nimanbegu./abcnews.al