Tre shkolla në qarkun e Korçës nuk hapën dyert këtë të hënë. Shkak numri i ulët i nxënësve. Dryni iu është vendosur shkollave të Potkozhanit dhe Pleshishtit që ndodhen në zonën e thellë malore të Mokrës.
Fëmijët që kanë mbetur në këto fshatra do të detyrohen të bëjnë mësim në Trebinjë. Ndërkohë në bashkinë Korçë është mbyllur shkolla e Gjon Babasit në njësinë administrative Lekas pasi aty kishte mbetur vetëm një nxënës.
Përveç shkollave, numri i ulët i fëmijëve ka sjellë edhe mbylljen e 6 klasave të para, konkretisht 5 klasave në Korçë dhe 1 në Pogradec. Vitin e ri shkollor në juglindje e nisën rreth 19 mijë nxënës afro 230 më pak se vitin e shkuar.
Mungesa e fëmijëve për shkak të emigrimit jashtë kufijve dhe lëvizjeve demografike përveç se po boshatis shkollat ka sjellë dhe një tjetër pasojë sociale: Papunësinë.
Në Fier 33 mësues nuk nisën këtë të hënë punë për shkak se nuk plotësojnë orët mësimore. Konkretisht në Fier kanë mbetur të papunë 21 mësues, në Mallakastër 9 dhe në Lushnje 3.
Shkollat me pak fëmijë janë bashkuar. Në Mallakastër dhe Roskovec janë krijuar tre shkolla vartëse ndërsa në Fier numri i institucioneve arsimore vartëse shkon në 10./abcnews.al