Myrto Uzuni lë gjurmë edhe në grupet e Europa Leagues, pasi ka shënuar në sfidën mes Ferencvaros dhe Betis, por goli i tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e dytë të hungarezëve, në po kaq ndeshje të luajtura.
Sulmuesi kuqezi e nisi si titullar sfidën ndaj gjigantëve spanjollë dhe kur rezultati ishte 0-1, bëri presing e rikuperoi një top në gjysmëfushën kundërshtare, teksa më pas i vetëm me portierin, lëshoi një goditje mjaft të bukur nga jashtë zone, duke dërguar sferën në rrjetë.
Megjithatë 15 minuta nga fundi, futbollisti Wingo shënoi në portën e tij dhe u dha avantazhin spanjollëve, të cilët në shtesë shënuan edhe golin e tretë, për të vulosur fitoren, ndërsa Ferencvaros do të duhet të presë ende për të marrë pikët e para në grupet e Europa League.
Po në grupin e Ferencvaros, bën mjaft mirë Bayer Leverkusen që triumfoi me rezultatin e pastër 0-3 në transfertën skoceze ndaj Celtic dhe u ngjit në krye me 6 pikë të plota. Hincapie zhbllokoi ndeshjen në minutën e 25-të, ndërsa më pas Wirtz, Alario dhe Adli vulosën suksesin.
Merr tre pikët e para në grup edhe Lazio, që ia doli të triumfojë me rezultatin 2-0 ndaj rusëve të Lokomotivës së Moskës, në një ndeshje të cilën bardhekaltrit e zgjidhën shumë shpejt me golat e Basic dhe Patric.
U konfirmua sërish titullar Thomas Strakosha, që pas asaj gafe në Turqi ndaj Galatasarayt, mbrëmjen e sotme u shfaq në formë mjaft të mirë dhe ruajti të paprekur rrjetën e portës së tij, ndërsa në fushë për 90 minuta ishte edhe i zakonshmi Elseid Hysaj, prej të cilit trajneri Sarri nuk ka ndërmend të heqë dorë.
Më poshtë mund të shihni rezultatet e ndeshjeve të sotme të Europa League.