Mbyllen hetimet për uniformat, 9 zyrtarë merren të pandehur

schedule19:26 - 23 Shtator, 2021

schedule 19:26 - 23 Shtator, 2021

Nga Ermal Vija

Prokuroria e posaçme është në përfundim të hetimeve  për tenderin e uniformave të policisë ku pritet të marrë të pandehur zyrtarët dhe ish-zyrtarët e ministrisë së brendshme. Burime për ABC bëjnë me dije se, personat e arrestuar për tenderin me vlerë 2.8 miliardë lekë do të përballen me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Përveç personave të arrestuar mësohet se edhe Aurora Mulla që ka mbajtur postin e inxhinieres së tekstileve në Policinë e Shtetit është marrë nën hetim. Zyrtarët dhe ish-zyrtarët u arrestuan në korrik të këtij viti, pasi akuzohen se kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, barazinë në tenderë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit. Në pranga janë vënë ish-Drejtoresha e Agjencisë së blerjeve të përqendruara, Edlira Naqellari, që u shkarkua nga ky post pak java para se të kryhej arrestimi.

Të njëjtin fat kanë pasur dhe katër anëtarët e Njësisë së prokurimit Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani, dhe Anisa Bogdani si dhe katër anëtarët e tjerë të Komisionit të vlerësimit të ofertave Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, dhe Gëzim Minga. Nga hetimet e SPAK rezulton se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit prej 2.8 miliardë lekësh në dokumente./Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!