Nuk kanë fund vuajtjet, për “Galaktikët” e Real Madrid. Pas një sërë lojtarësh të dëmtuar, si Thibaut Courtoi, Eder Militao, Aurelien Tchouameni, Eduardo Camavinga, Luka Modric, Arda Guler e Vincius Junior, tashmë tekniku Carlo Ancelotti, duhet të vuajë mungesën e një tjetër lojtari kyç të formacionit.
Bëhet fjalë për anësorin e krahut të djathtë të mbrojtjes, Dani Carvajal, i cili do të qëndrojë për të paktën një muaj jashtë fushave të blerta, të paktën kështu u komunikua nga klubi, paraditen e kësaj të hënë, pas kryeryje së testeve mjekësore, teste që vlerësuan shkallën e shqetësimit në pulpën e majtë të pësuar në ndeshjen kundër Granadës.
Për shkak të këtij dëmtimi, “pistoni” i krahut të djathtë do të mungojë në ndeshjet kundër Real Betis, Union Berlin, Villareal, Alaves, Mallorca dhe në përballjen e parë të, Copa del Rey në janar. Objektivi i klubit kryeqytetas është ta rikuperojë atë për gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës kundër Atletico Madrid, të planifikuar për në 10 janar. /i.m /abcnews.al