Mbushën pyjet me kanabis, arrestohet inspektori në Gramsh, nën hetim dy kryepleq

schedule10:11 - 2 Gusht, 2021

schedule 10:11 - 2 Gusht, 2021

Dy raste të kultivimit të kanabisit janë goditur nga policia në Gramsh. Blutë bëjnë me dije se janë konstatuar kultivimi i lëndëve narkotike në zonat e pyllëzuara të fshatrave Vidhan dhe Lemush.

Në pranga është  vënë A. Z., 52 vjeç, banues në Gramsh, me detyrë inspektor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Gramsh. Ndërkohë ka nisur hetimi për kryepleqtë e dy fshatrave: A. B. dhe B. J.

 “Vijon kontrolli i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.  Vihet në pranga inspektori i Shërbimit Pyjor në bashkinë Gramsh, për shpërdorim detyre. Procedohen penalisht në gjendje të lirë dhe dy kryepleqtë e fshatrave Vidhan dhe Lemnush në Gramsh.      

Në vijim të kontrolleve të zhvilluara në territor, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë goditur dy raste të kultivimit të bimëve narkotike, konkretisht një rast në një zonë  të pyllëzuar të fshatit  Vidhan dhe një rast tjetër në një zonë të pyllëzuar të fshatit  Lemnush, ku  janë gjetur të kultivuar fidanë kanabis.  

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gramsh bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Z., 52 vjeç, banues në Gramsh, me detyrë inspektor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Gramsh, si dhe kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit: A. B., me detyrë kryeplak i fshatit Vidhan dhe B. J., me detyrë kryeplak i fshatit Lemnush, Gramsh.  

Vijon puna për identifikimin e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Rrethit Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!