Mbrojtësit e Krasniqit dhe Selimit apelojnë vendimet mbi mocionet për defektet në aktakuzë

schedule09:29 - 16 Nëntor, 2021

schedule 09:29 - 16 Nëntor, 2021

Mbrojtësit e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit kanë apeluar vendimin e gjyqtarit paraprak lidhur me mocionet e tyre, ku pretendonin defekte në aktakuzë.

Në parashtresën e mbrojtësit të Krasniqit, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake i dha mbrojtjes leje për ankesë për nëntë çështje që kanë të bëjnë me dështimin e aktakuzës, për të deklaruar faktet materiale me specifikë të mjaftueshme për t’i dhënë Krasniqit njoftimin e kërkuar për rastin kundër tij.

“Aktakuza dështon të deklaroj saktësisht se çfarë pretendohet se ka bërë z. Krasniqi. Pjesëmarrja e tij personale e supozuar në krime, kontributi i tij i supozuar në një ndërmarrje të përbashkët kriminale (“NPK”) dhe përgjegjësia e tij e supozuar në përputhje me mënyrat e tjera të përgjegjësisë, të gjitha mbeten qëllimisht të paqarta”, thuhet në parashtresë.

Sipas mbrojtjes, kjo pasaktësi është paragjykuese për Krasniqin sepse pengon përgatitjen e tij dhe i lejon prokurorit të specializuar që ta trajtojë rastin e tij në gjykim, pa e njoftuar Krasniqin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtja ka pretenduar se në vendimin e gjyqtarit paraprak është gabuar kur është konstatuar se aktakuza nuk ishte me të meta.

“Mbrojtja kërkon nga Kolegji i Gjykatës së Apelit që të korrigjojë këtë padrejtësi, të korrigjojë këto gabime, të prishë Vendimin e kundërshtuar dhe të urdhërojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“ZPS”) të ndryshojë aktakuzën”, thuhet nga mbrojtja e Krasniqit.

Ndërkaq, në ankesën e mbrojtjes së Rexhep Selimit thuhet se gjyqtari paraprak i dha leje për të apeluar vendimin për çështjet e mëposhtme.

“Nëse pretendimet për kontribut jo-kriminal të ndërmarrjes kriminale së përbashkët në aktakuzën e konfirmuar, e bën atë të dëmtuar ose është çështje e ligjit për t’u ngritur në gjyq; nëse ZPS-së nuk i kërkohet të përcaktojë në mënyrë specifike se cilat krime bien përfundimisht brenda qëllimit të përbashkët kriminal dhe cilat jo kur pretendon përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III në alternativë ndaj ndërmarrjes së përbashkët kriminale I”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes së Selimit.

Më tej, thuhet se i është dhënë leje të apeloj edhe për çështjen nëse ZPS-së i lejohet të pretendojë se çdo individ i përmendur në aktakuzë mund të jetë ose anëtar i ndërmarrjes së përbashkët kriminale ose një mjet i saj, nëse e deklaron këtë në alternativë.

“Nëse mënyra e përgjegjësisë me të cilën një vartës supozohet se ka kryer krime është fakt material që duhet të deklarohet në aktakuzë në një rast të bazuar në përgjegjësinë superiore; nëse përvijimi i Rregullës 86(3)(b) mund të përdoret, në këtë rast specifik, për t’i dhënë të akuzuarit të dhëna themelore shtesë kur pretendimet faktike janë dhënë në aktakuzën e konfirmuar”, thuhet se është çështja e fundit. /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!