Mos vallë ishin dy gabimet e fillimit që kushtëzuan gjithçka? Padyshim një skuadër si Paris SG I shfrytëzon shumë mirë dhuratat, si ato që I bënë dy mbrojtësit e Realit, Asensio e Rydiger, por gjithsesi, ajo që u pa në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve ishte shumë më tepër se kaq.
Kampionia e Europës, një projekt tashmë dyvjeçar I trajnerit Luis Enrike, dominoi nga fillimi në fund një Madrid, që u duk si peshku pa ujë.
Përtej rezultatit 4-0 që kualifikoi parizienët në finalen e Botërorit përballë Çelsit, e gjithë ndeshja ishte një recital francez.
PSG mbajti topin 69 për qind ndaj një rivali me yje si Mbape, Vinisius, Belingham, Rodrigo apo Modriç.
Gjuajtjet ishin 17-11 për fituesit, ndërsa madrilenët e gjetën vetëm dy herë kuadratin e portës së Donarumës.
Golat ishin nga Fabian Ruiz në 6’ e 24’, Usman Dembele në 9’, dhe Gonsalo Ramos tre minuta para fundit.
Luis Enrike vlerësoi ekipin e tij, dhe tha diçka të veçantë.
“Mendoj se ishte një ndeshje shumë e mirë. Ishim shumë lart në 15 minutat e para, kur krijuam raste dhe shënuam dy gola. Kjo na ndihmoi shumë për vetëbesimin. Ne jemi në finale dhe kjo është diçka e madhe. Nuk e di se çfarë diference kemi me Realin, por ata kanë trajner të ri, projekt të ri, ndërsa ne po punojmë bashkë prej dy viteve, pra janë situata të ndryshme. Mund të them se telefoni im është plot me mesazhe nga Barcelona pas kësaj fitoreje”.
E qartë që në Francë ka festë.
“L’Ekip” thërret në titull: Mbretërorë! Autor I një pjese të parë qiellore, Paris SG shkatërron Realin! Kampionët e Europës në finalene Kupës së Botës për Klubet!”
Më I thjeshtë kremtimi I gazetës gjeneraliste, “Lë Mond”: PSG shkatërron Realin dhe Mbapenë dhe bashkohet me Çelsin në finale!”
Ndërkaq, e përditshmja “Marka” e kryeqytetit spanjoll kritikon: Një Madrid shumë I çoroditur, një lamtumirë shumë e rëndë! Dy gabime groteste, epërsi tronditëse e makinës së Luis Enrikes!”
“Një dajak për të mësuar, – thekson gazeta tjetër madrilene, “AS”, – Hap prapa i Madridit përballë një PSG-je tepër superiore! Vendimtarë gabimet e Asensios dhe Rydigerit!”
Real kthehet në shtëpi dhe trajneri Shabi Alonso e di se ka shumë për të bërë që të kthejë emrin e madh, ndërsa Paris SG tashmë do të synojë trofeun në finalen e së dielës ndaj Çelsit.


