Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Neil Holland, ka shprehur shqetësim për mbylljen e ndërtesave dhe institucioneve në veri të Kosovës, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.
Sipas një njoftimi të publikuar në ueb-faqen e Qeverisë britanike lidhur me raportin e shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë për gjashtë muajt e fundit, Holland po ashtu tha se është urgjente që Kosova të formojë Qeverinë e re, pas zgjedhjeve të shkurtit që tha se u mbajtën në mënyrë paqësore.
“Jemi veçmas të shqetësuar me natyrën e pakoordinuar të mbylljes së institucioneve dhe ndërtesave në veri të Kosovës që ofrojnë shërbime vitale për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera joshumicë. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të sigurohet që komunitetet joshumicë të mund të luajnë rol të barabartë në të ardhmen e shtetit dhe të respektojnë zotimet e Kosovës si një shtet gjithëpërfshirës dhe multietnik”, tha ai.
Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe në fillim të vitit 2024. Fillimisht u mbyllën organet e përkohshme komunale, banka Kursimorja e Postës, Posta e Serbisë, Fondi për sigurim pensional dhe shëndetësor, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike dhe institucione të ngjashme.