Mbretëri e Bashkuar/ Mosha e votimit në zgjedhjet e ardhshme elektorale do të ulet në 16 vjeç

schedule15:24 - 17 Korrik, 2025

schedule 15:24 - 17 Korrik, 2025

Qeveria britanike ka shpallur planet për të ulur moshën minimale për të votuar në 16 vjeç, një ndryshim që synohet të hyjë në fuqi përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

Ministrja për Demokracinë, Rushanara Ali, e quajti këtë ndryshim “tërmet politik” dhe tha për BBC se do të sigurojë që zëri i të rinjve të dëgjohet. Sipas saj, në moshën 16 vjeç një person mund të punojë, të paguajë taksa dhe të bashkohet me ushtrinë, prandaj është e drejtë që të kenë të drejtë vote.

Aktualisht, 16-vjeçarët mund të votojnë vetëm në zgjedhjet lokale në Skoci dhe Uells, por jo në zgjedhjet parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar apo në Angli dhe Irlandën e Veriut.

Ky do të ishte ndryshimi më i madh në trupin elektoral që nga viti 1969, kur mosha për të votuar u ul nga 21 në 18 vjeç.

Ndërsa Unioni Kombëtar i Studentëve e quajti vendimin “fitore të madhe për të rinjtë”, opozita konservatore kritikoi politikën si “konfuze”. Deputeti Paul Holmes theksoi se 16-vjeçarëve nuk u lejohet ende të blejnë alkool, bileta lotarie apo të martohen pa leje, por do të lejohen të votojnë.

Nga ana tjetër, ndryshimet në rregullat për donacionet do të detyrojnë partitë të verifikojnë burimin e fondeve nga kompani, duke siguruar që ato të kenë të ardhura reale në MB apo Irlandë.

Komisioni Zgjedhor do të ketë fuqi më të mëdha ndëshkimi, duke përfshirë gjoba deri në 500,000 paund për shkelësit e rregullave.

Liberal Demokratët përshëndetën votën në moshën 16 vjeç si “një vendim të qartë”, por kërkuan masa më të forta për të parandaluar ndikimin e oligarkëve të huaj në politikën britanike.

/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!