Mbretëreshë Elizabeta II, monarkja e rekordeve

schedule10:00 - 27 Prill, 2019

schedule 10:00 - 27 Prill, 2019

Mbretëresha Elizabetë, festoi ditën e pashkëve 93 vjetorin e saj të lindjes. Lilibet, si njihet nga familjarët është monarkja e rekordeve. Gjatë luftës së dytë botërore pavarësisht origjinës së saj mbretërore ajo shërbeu si mekanike. Ndërsa e-mailin e parë e ka dërguar në vitin 1976.

Është sovrania më jetëgjatë e Britanisë së Madhe, mjafton të mendosh se më shumë se 80 për qind e britanikëve nuk kanë jetuar asnjëherë nën një monarki tjetër, pasi kanë lindur pas marrjes së fronit nga ana e saj në 6 shkurt 1952.

Elizabeta II festoi 93 vjetorin e saj të dielën e Pashkëve. Ajo ka lindur në 21 Prill 1926 në Bratën Strit numri 17, ku aktualisht ndodhet një restorant luksoz kinez.

Gjatë mbretërisë së saj kanë drejtuar qeverinë 14 kryeministra, duke filluar nga Uinston Çërçill, si dhe ka taluar 11 nga 12 presidentët e shteteve të bashkuara të amerikës që kanë drejtuar vendin gjatë mbretërisë së saj.

Për ditëlindjen e saj duka dhe dukesha e Kembrixh, Uilliam dhe Kejt, postuan në profilin zyrtar të Kesington Palas, urimet zyrtare me fotografi të fëmijëve Xhorxh, Sharlot dhe Luis me Mbretëreshën. Në fotografi mungojnë duka dhe dukesha e Suseks Herri dhe bashkëshortja Megan. Djali i dytë e Lady Dianës shihet vetëm pak I fshehur pas vëllait të tij. Mediat britanike raportojnë se mes dy çifteve nuk ka afrimitet dhe duket që as ardhja në jetë e fëmijës së Herri dhe Megan nuk do të sjellë paqe. Janë të shumta revistat gossip të cilat prej ditësh shkruajnë se Megan mund të ketë lindur ndërkohë, por lajmi mbahet ende i fshehtë.

‘Lilibet’, si thërritet nga familjarët më të ngushtë, do të ketë shumë për të festuar. Një tjetër ditëlindje zyrtare të shtunën e dytë të qershorit, si traditë e nisur nga mbreti Xhorxh i dyti në 1748-ën, i cili dëshironte të festonte në një periudhë ku moti të ishte më i përshtatshëm për paradat. Mbretëresha gjatë gjithë jetës ka dëshmuar dashurinë e saj të madhe për kafshët. Ka pasur më shumë se 30 qen të racës korgi, lloji i saj i preferuar, dhe ka krijuar një racë të re, dorgi. Një gërshetim mes një korgi dhe një basti.

Ajo ka trashëguar disa kuaj gare pas vdekjes së babait të saj mbreti Xhorxh i gjashti në vitin 1952, të cilët kanë fituar në më shumë se 1600 gara. Ka pasur dhe një elefant, xhaguarë të zinj dhe një krokodil, kafshë të cilat më pas i janë dhuruar kopshtit zoologjik.

Edhe pse nuk është e detyruar me ligj të paguajë taksat, në vitin 1992 ajo vendosi vullnetarisht që t’i paguajë dhe pavarësisht origjinës mbretërore ka shërbyer si mekanike gjatë luftës së dytë botërore.

Mbretëresha Elizabetë mori fronin në moshën 25 vjeçare pas ndarjes nga jeta të babait të saj në 6 shkurt të viti 1952, për tu kurorëzuar një vit më vonë në Abacinë e Uestminster.

Gjatë mbretërimit të saj ajo ka përjetuar ndryshime të rëndësishme mes të cilave, ndarjen e pushteteve në Mbretërinë e bashkuar, cështjen e riatdhetësimit të kushtetutës kanadeze dhe të dekolonizimit në Afrikë, me përforcimin e Komonuelth të Kombeve. Aktualisht mbretërimi I saj është më I gjati në historinë britanike, duke thyer dhe rekordin në 9 Shtator të 2015-ës, të vendosur nga Vitoria e cila mbretëroi 63 vjet, 7 muaj dhe dy ditë. Ajo shënon mbretërimin më të gjatë në absolute për një mbretëreshë

Rreth 125 milion persona në botë janë nën mbretërinë e saj. Ajo ka parë ndërrimin e 13 kryeministrave në Mbretërinë e Bashkuar dhe akoma më shumë ministra dhe guvernatorë në mbretërinë e saj. Për kohëzgjatjen e saj, mbretërimi i Elizabeta II është në vendin e gjashtë në klasifikimin e mbretërive më të gjatë të historisë: ajo është kreu i shtetit që ka qëndruar më shumë në këtë post, pas ndarjes nga jeta të mbretit Rama 9 të Tajlandës, në 13 tetor 2016.

Mbretëreshës iu vendos emri i nënës së saj, ndërsa dy emrat e tjerë janë të stërgjyshes nga ana e babait Aleksandra, dhe e gjyshes nga babai mbretëreshës Maria di Tek. Por nga familjarët e saj ajo thërritet “Lilibet”, një pseudonim që e ka zgjedhur vetë. Marrëdhënien më të ngushtë familjare Mbretëresha Elizabetë e pati me gjyshin e saj Xhorxhi i V.

Pavarësisht interesimit të madh që nga moment i ardhjes së saj në jetë, ulja e saj në fron ishte e pakëndueshme pasi xhaxhai i saj Eduard ishte i ri dhe mendohej se do të martohej e do të kishte fëmijë.

Kur Xhorxh V ndërroi jetë në 1936-ën dhe xhaxhai i saj u bë mbret, Elizabeta ishte e dyta në radhë për të trashëguar fronin. Në 10 dhjetor të po atij viti, xhaxhai i saj abdikoi në kulm të një krize kushtetuese të shkaktuar nga fejesa e tij me Uollis Simpson, një grua e divorcuar. Për pasojë babai I saj u bë mbreti Xhorxh I VI dhe ajo në moshën 10 vjeçare: trashëgimtare e fronit.

Gjatë luftës së dytë botërore, familjes mbretërore iu sugjerua që të largohej në Kanada ku Elizabeta 13 vjecare dhe motra e saj do të ishin më të sigurta, por nëna e saj nuk pranoi: Vajzat nuk do të largohen pa mua. Unë nuk largohem pa mbretin. Dhe Mbreti nuk do të largohet asnjëherë.”

Në moshën 18 vjeçare parlamenti britanik me anë të një amendamenti e lejoi të mbante titullin “Këshilltare Shteti”, në mënyrë që të zëvendësonte babain e saj në rast se nuk do të ishte në gjendje për të marrë veprime apo nëse do të mungonte.

Fejesa e saj me princin Filip shkaktoi kritika, pasi ai nuk ishte në gjendjen e duhur ekonomike, nuk ishte i lindur në Britaninë  e madhe dhe pse kishte qenë pjesë e marinës ushtarake në Luftën e dytë botërore; si dhe kishte motra që ishin martuar me aristokratë gjermanë të lidhur me nazismin. Për më tepër ai ishte një princ pa mbretëri, I Danimarkës dhe Greqisë, si dhe pa shtëpi.

Mbretëresha Elizabetë është monarkja e parë që ndodhej jashtë mbretërisë së bashkuar në momentin që froni i kaloi asaj pas ndarjes nga jeta të babait të saj.

Në vitin 1977 Elizabeta II festoi jubileun e saj të argjendtë, 25 vjetorin e uljes në fron. Festime dhe aktivitet të ndryshme u zhvilluan në të gjithë Komonuelth-in, shpesh me rast të udhëtimeve të saj në vende të ndryshme. Festimet konfirmuan popullaritetin e mbretëreshës..

Vitet ’80 shënuan dhe fillimin e një miqësie mes sovranes britanike dhe presidentit amerikan Ronald Regan, i cili u prit në vitin 1982 në kështjellën Uindsor. Një vit më pas ishte mbretëresha që do të shkonte në Kaliforni, e ftuar në fermën personale të presidentit amerikan. Por kjo nuk shmangu aspak zemërimin e mbretëreshës dhe qeverisë së Margaret Theçer për operacionin “Zemërimi Urgjent”, me anë të së cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës pushtuan me iniciativë të njëanshme Granadën, shtet në mbretërinë e Komonuelth, për shkak të afrimit të vendit me ish Bashkimin sovjetik.

Në vitin 1991, në kohën e fitores së koalicionit në luftën e parë të Gjirit, Elizabeta II u bë sovrania e parë britanike që fliste në kongresin e mbledhur për një seancë të përbashkët.

Në një fjalim të mbajtur në 24 nëntor të 1992-shit, me rastin e 40 vjetorit të uljes së saj në fron, mbretëresha e cilësoi atë si një vit të tmerrshëm. Në fakt në vitin 1992, ide republikane filluan të përhapeshin në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të publikimeve në media të shkrimeve për pasurinë e sovranes.

Kësaj iu shtuan dhe lajmet për tradhti dhe kriza martesore Brenda familjes mbretërore. Në muajin mars princi Andrea, djali I dytë I Mbretëreshës u nda nga bashkëshortja Sara Ferguson. Ndërsa një muaj më pas u divorcua dhe princesha Ana nga kapiteni Mark Filips.

Në vitet ’90, institucionet e monarkisë u bënë gjithnjë e më shumë subjekt sulmesh dhe kritikash nga ana e mediave dhe popullsisë. Në një fjalim të pazakontë të karakterit personal, mbretëresha u shpreh se çdo institucion duhet të presë kritika. Por këto kritika sipas saj duhet të jenë me humor, mirësjellje dhe mirëkuptim. Dy ditë më vonë kryeministri britanik Xhon Maxhor, shpalli reformën për financat reale, duke bërë që Mbretëresha të paguante taksat nga viti 1993 e deri më sot

Në dhjetor të 1992-shit, princi Çarls dhe bashkëshortja e tij, Diana Spenser, u ndanë formalisht, por thashethemet për ‘ta vazhduan dhe disa vite më vonë. Pavarësisht momentit të vështirë, popullariteti I sovranes qëndronte në nivel të lartë dhe idetë republikane mbeteshin një minorancë. Sulmet dhe kritikat, nuk kishin të bënin personalisht me mbretëreshën apo sjelljen e saj, por me atë të familjarëve

Vetëm një vit pas divorcit, në gusht të 1997-ës, Diana humbi jetën në një aksident rrugor në Paris. Dy djemtë e saj dëshironin të merrnin pjesë në meshën e mëngjesit dhe u shoqëruan nga mbretëresha Elizabetë dhe bashkëshorti i saj Filip. Për pesë ditë me radhë, familja mbretërore nuk doli në publik për të ruajtur Uilliam dhe Herri nga mediat. Gjithsesi, kjo tërheqje dhe refuzimi për të ulur flamurin në gjysmë shtizë në Bakingam Palas shkaktuan reagime të forta në popull. Reagime të tilla detyruan mbretëreshën Elizabetë II  të kthehej në Londër, ku nëpërmjet një mesazhi të transmetuar drejt për së drejti në television, ajo iu drejtua kombit duke shprehur admirimin për Dianën dhe ndjenjat e saj si gjyshe ndaj dy princave.

Në vitin 2002, Eizabeta II festoi jubileun e artë, që shënon 50 vjetorin e uljes së saj në fron, ndërsa në shtator të 2007-ës ajo bëhet monarkja e parë britanike që feston 60 vjetorin e martesës – përvjetor i diamantë.

Jubilee i diamantë i saj në vitin 2012, shënoi 60 vjetorin e uljes në fron, dhe u festua në të gjithë mbretërinë .

Në 6 shkurt të 2017-ës, Elizabeta II u bë sovrania e parë britanike që feston Jubileun e Zafirit, 65 vjetorin e uljes së saj në fron, duke zgjedhur të mos festojë por të përkujtojë ndarjen nga jeta të babait të saj. Në 20 nëntor në mënyrë private ajo festoi 70 vjetorin e martesës.

Sot Elizabeta II nuk ka ndërmend të abdikojë në favor të djalit të saj Çarls; i cili gjithsesi prej kohësh e zëvendëson në shumë raste zyrtare. Në 21 Prill të këtij viti ajo festoi 93 vjetorin e lindjes…

Planet në rastin e ndarjes nga jeta dhe përgatitjeve për funeralin e Elizabeta II janë përmbledhur në atë që shteti britanik e quan “Operacioni London Brixh”

Pavarësisht se Mbretëresha Elizabetë mund të jetojë shumë më shumë, duke na habitur të gjithëve, mbretëria e bashkuar dashje pa dashje duhet të përgatitet për ditën kur mbretëria e saj 67 vjeçare të përfundojë.

E kotë të thuhet se ndarja e saj nga jeta do të ketë pasoja të mëdha në vend dhe tek njerëzit, duke marrë në konsideratë se pjesa më e madhe e popullit britanik nuk ka jetuar asnjë ditë pa Mbretëreshën Elizabetë.

Por dhe në këndvështrimin njerëzor, 12 ditë pas ndarjes nga jeta të Mbretëreshës, vendi do të përjetojë një lloj situate – pezull. Me tregjet aksionere që do të kenë pasoja negative dhe me tregtinë e reduktuar në maksimum në shenjë zie

Për të kuptuar sado pak atë që pritet të ndodhë, mjafton të dihet se BBC prej kohësh ka lajmëruar se do të anulojë të gjitha shfaqje komike të transmetuara më televizion, për 12 ditë pas ndarjes nga jeta të Mbretëreshës Elizabetë.

Mund të tingëllojë absurd, por kjo ka shumë kuptim për popullin anglez, si dhe është pjesë e një tradite të vjetër.

E njëjta gjë ka ndodhur dhe pas ndarjes nga jeta të mbretit Xhorxh VI, babait të ELizabetës.

Në atë kohë, në shenjë homazhi, rrjeti televiziv BBC, ndërpreu të gjitha programet komike për një periudhë zie. E njëjta gjë do të ndodhë dhe ditën kur të ndahet nga jeta Elizabeta II.

Afati 12 ditor vlen për faktin se dhe funeral do të realizohet 12 ditë pas ndarjes nga jeta.

BBC arsyeton vendimin e saj me faktin se në një moment dhimbjeje publike dhe mediatike – shfaqjet komike do të ishin pa vend./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!