Mbretëresha Elizabetë feston 93 vjetorin e lindjes

schedule12:54 - 22 Prill, 2019

schedule 12:54 - 22 Prill, 2019

Mbretëresha Elizabetë, festoi ditën e Pashkëve 93 vjetorin e saj të lindjes. “Lilibet”, si njihet nga familjarët është monarkja e rekordeve. Gjatë luftës së dytë botërore pavarësisht origjinës së saj mbretërore ajo shërbeu si mekanike. Ndërsa e-mailin e parë e ka dërguar në vitin 1976.

Eshtë sovrania më jetëgjatë e Britanisë së Madhe, mjafton të mendosh se më shumë se 80 për qind e britanikëve nuk kanë jetuar asnjëherë nën një monarki tjetër, pasi kanë lindur pas marrjes së fronit nga ana e saj në 6 shkurt 1952.

Elizabeta II festoi 93 vjetorin e saj të dielën e Pashkëve. Ajo ka lindur në 21 prill 1926 në Bratën Strit numri 17, ku aktualisht ndodhet një restorant luksoz kinez.

Gjatë mbretërisë së saj kanë drejtuar qeverinë 14 kryeministra, duke filluar nga Uinston Çërçill, si dhe ka takuar 11 nga 12 Presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë drejtuar vendin gjatë mbretërisë së saj.

Për ditëlindjen e saj duka dhe dukesha e Kembrixh, Uilliam dhe Kejt, postuan në profiling zyrtar të Kesington Palas, urimet zyrtare me fotografi të fëmijëve Xhorxh, Sharlot dhe Luis me Mbretëreshën. Në fotografi mungojnë duka dhe dukesha e Suseks Herri dhe bashkëshortja Megan. Djali i dytë e Lady Dianës shihet vetëm pak i fshehur pas vëllait të tij. Mediat britanike raportojnë se mes dy çifteve nuk ka afrimitet dhe duket që as ardhja në jetë e fëmijës së Herri dhe Megan nuk do të sjellë paqe. Janë të shumta revistat gossip të cilat prej ditësh shkruajnë se Megan mund të ketë lindur ndërkohë, por lajmi mbahet ende i fshehtë.

‘Lilibet’, si thërritet nga familjarët më të ngushtë, do të ketë shumë për të festuar. Një tjetër ditëlindje zyrtare të shtunën e dytë të qershorit, si traditë e nisur nga mbreti Xhorxh i dyti në 1748-ën, i cili dëshironte të festonte në një periudhë ku moti të ishte më i përshtatshmë për paradat. Mbretëresha gjatë gjithë jetës ka dëshmuar dashurinë e saj të madhe për kafshët. Ka pasur më shumë se 30 qen të racës korgi, lloji i saj i preferuar, dhe ka krijuar një racë të re, dorgi. Një gërshetim mes një korgi dhe një basoti.

Ajo ka trashëguar disa kuaj gare pas vdekjes së babait të saj mbreti Xhorxh i gjashti në vitin 1952, të cilët kanë fituar në më shumë se 1600 gara. Ka pasur dhe një elefant, xhaguarë të zinj dhe një krokodil, kafshë të cilat më pas i janë dhuruar kopshtit zoologjik.

Edhe pse nuk është e detyruar me ligj të paguajë taksat, në vitin 1992 ajo vendosi vullnetarisht që t’I paguajë dhe pavarësisht origjinës mbretërore ka shërbyer si mekanike gjatë luftës së dytë botërore.

E-mailin e parë e ka dërguar në vitin 1976; ka dërguar një mesazh në Hënë që i është sjellë nga astronautët Neil Armstrong e Baz Aldrin në vitin 1969, postoi për herë të parë në Tuiter në vitin 2014 dhe në Instagram në muajin mars të këtij viti.

Kurorëzimi i saj në vitin 1953 ishte i pari në histori që u transmetua në mënyrë të drejtpërdrejtë në televizion. /abcnews.al