Mbretëresha Elizabet e Dytë ka thyer heshtjen dhe ka folur për largimin e vendit nga Bashkimi Evropian. Ajo tha se vendi po kërkon një partneritet të ri me Unionin dhe shkon i sigurtë drejt të ardhmes.
Ka vetëm një argument për të cilin Mbretëresha Elizabet e Dytë nuk flet, dhe ai është politika. Por në banketin e shtruar në “Buckingham Palace” në nder të Mbretërisë së Holandës, ajo ka bërë një përjashtim, duke u marrë me çështjen politike më kryesore: Brexit. “E kujtoj vizitën në Londër të gjyshes suaj, Mbretëreshës Beatrise të Holandës dhe të bashkëshortit të saj princit Bernard, në vitin 1972, kur thashe se mirëkuptimi dhe raportet e ngushta mes dy kombeve tona u bënë gjithmonë dhe më të rëndësishme në një moment në të cilin doli një konfigurim i ri evropian”, tha ajo në fjalimin drejtuar Mbretit Uilliam të Holandës, duke aluduar në krijimin e Komunitetit Ekonomik Evropian, një hap përpara në forcimin e lidhjeve kontinentale, në të cilat Britania do të vendoste të hynte me referendumin i vitit 1975.
“Ndërsa tani po shikojmë një partneritet të ri me Evropën, vlerat dhe angazhimet e përbashkëta janë pasuria jonë më e madhe dhe ato tregojnë se edhe në një fazë ndryshimi, aleanca jonë e qëndrueshme mbetet e fortë”, u shpreh Elisabeta e Dytë.
“Si novatorë, tregtarë dhe internacionalistë, ne shikojmë në të ardhmen me besim”, shtoi Mbretëresha.
Fjalë që mund të interpretohen në dy mënyra: si një apel për të mbetur sa më të bashkuar, pavarësisht nga Brexit, pra një deklaratë në favor të një Brexit të butë, një ndërprerje jo të plotë dhe radikale me Bashkimin Evropian; ose si konstatim se, pavarësisht Brexit, Britania e Madhe do të vazhdojë të menaxhojë falë lidhjeve që shkojnë përtej BE-së dhe besimit të saj në risi, tregti, globalizim.
Daily Mail, e cila së pari njoftoi lajmin për fjalimin e Mbretëreshës, e interpretoi atë me titull: “Mbretëresha thyen heshtjen për Brexit, duke u thënë mbretërve holandezë se vlerat e përbashkëta lidhin Britaninë e Madhe dhe Evropën dhe që po synohet për një aleancë të re”. Ndërkohë, më herët edhe Mbreti Uilliam i Holandës gjatë një fjalimi në parlamentin britanik ka folur për Brexit, duke bërë thirrje për bashkëpunim mes dy shteteve. /abcnews.al