Mblidhet Komiteti Ekzekutiv i FSHF, miratohen investime të rëndësishme në infrastrukturë dhe materialet e Asamblesë së Zakonshme vjetore

schedule14:01 - 29 Prill, 2023

schedule 14:01 - 29 Prill, 2023

Komiteti i Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit zhvilloi ditën e premte mbledhjen e radhës në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Në këtë mbledhje u miratuan të gjithë materialet për Asamblen e Përgjithshme të Zakonshme vjetore të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe u morën vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me investimet në drejtim të infrastrukturës në disa qytete të vendit.

Në drejtim të infrastrukturës, anëtarët e KE-s miratuan investimin për sistemin e aksesit dhe biletarisë në Arenën e Demave, një element i rëndësishëm për certifikimin ndërkombëtar të stadiumit. U miratua gjithashtu bashkëpunimi për ndërtimin e një fushe të re me bar natyral në Bashkinë Roskovec, pjesë e projektit “100 fushat”, i cili po shtrihet në të gjithë territorin e vendit.

Një tjetër vendim i rëndësishëm në mbledhjen e djeshme ishte miratimi i projektit për ndërtimin e 2 fushave të reja në qytetin e Lacit dhe sistem ndriçimi për to. Njëra fushë do të jetë me bar natyral dhe tjetra me bar artificial për të mundësuar një përdorim më intensiv për ekipet zinxhir dhe komunitetin e zonës.

Investimi i fundit i miratuar ishte ai për rehabilitimin e ambienteve në Qendrën Sportive Kamëz dhe ndërtimi në të i një fushe të re stërvitore me bar artificial.

Katër fushat e reja që do të ndërtohen janë pjesë thelbësore e projektit të Federatës, “100 fushat”, ku brenda vitit 2025 synohet që sëbashku me të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në botën e futbollit ti shtohen inventarit të infrastrukturës në vend 100 fusha të reja me përmasa të mëdha./ FSHF