Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, është i pranishëm në mbledhjen e KOKSH. Ai ka dalë për të folur në lidhje me Rezolutën e propozuar nga ndërkombëtaret, ndërkohë që kërkohet që deri në dhjetor të bëhen zgjedhjet.
“Duke dëgjuar të gjitha propozimet, për të arritur në një konsensus, vijmë me një propozim të ri që vjen nga rezoluta. Rezoluta qëndron, por ka vetëm një pikë. Pas Lojërave Olimpike të bëhen zgjedhjet, jo më vonë se muaji dhjetor i vitit 2020.
Duhet një trup teknik që të ketë pesë anëtarë, dy nga ndërkombëtarët, një nga qeveria dhe dy nga Asambleja. Ky është një propozim miks. Duhet reflektim real dhe jo formal, me frymë olimpike”, u shpreh Duka.
“Duam të bëjmë diçka për sportin, për Lojërat Olimpike. Vironi tha që të rrijë trupa olimpike siç ishte. Presidenti dhe Komiteti do qëndrojnë deri në Lojërat Olimpike. Sot në Rezolutë duhet vendosur trupi teknik që do të jetë. Të bëhen zgjedhjet e ardhshme jo sipas ironive të dikujt, por sipas vullnetit të sportit”.
Një propozim tjetër erdhi nga Federata Shqiptare e Shahut, teksa presidenti i saj u shpreh se zgjedhjet duhet të bëhen direkt pas Lojërave Olimpike, maksimalisht në muajin tetor. Gjithashtu ai theksoi që të mos ketë ndryshime në Statut para zgjedhjeve. /abcnews.al