MBLEDHJA E FEDERATAVE/ Duka: KOKSH nuk funksionon, është marrë peng prej kohësh

schedule16:59 - 22 Korrik, 2020

schedule 16:59 - 22 Korrik, 2020

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mori pjesë në mbledhjen e zhvilluar sot mes drejtuesve të të gjitha federatave, ku u diskutua lidhur me zbatimin e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme të KOKSH-it. Kjo rezolutë ishte miratuar me shumicë votash në mbledhjen e Asamblesë së datës 9 shkurt 2020, ku u diskutua për kapërcimin e ngërçit ligjor dhe institucional në të cilën ndodhej Komiteti Olimpik Shqiptar.

Pas mbledhjes Presidenti Duka dha një prononcim për median, ku shpjegoi konkluzionet e dakordësuara nga drejtuesit e federatave dhe hapat që do të merren në vijim lidhur me këtë problematikë. Kreu i FSHF-së bëri me dije se do t’i dërgohet një kërkesë Presidentit të KOKSH-it, që të thërrasë Asamblenë brenda 30 gushtit me qëllim miratimin e komisionit që do të merret me ndryshimet statutore të Komitetit Olimpik.

“Ne sot kemi pasur një takim me federatat anëtare të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe iniciativa nuk ka qenë vetëm e Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe e Federatës së Boksit, Federatës së Mundjes madje edhe e të tjerave. Takimi konsiston në respektimin e asaj rezolute që ne kemi vendosur në Asamblenë e Komitetit Olimpik në 9 shkurt 2020. Por duke pasur parasysh zhvillimin e ngjarjeve, pandemia, kanë ndryshuar kalendarët, kanë ndryshuar shumë gjëra, por Komiteti Olimpik nuk ka ndryshuar.

Nuk kemi asnjë informacion, nuk kemi asnjë kalendar se kur do të realizohen detyrat që la Asambleja, rezoluta. Dhe për t’u preçizuar këto, u mblodhëm dhe diskutuam dhe i bëmë një kërkesë Presidentit aktual të Komitetit Olimpik që të thërrasë Asamblenë brenda 30 gushtit dhe me rend dite miratimin e komisionit që do të merret me ndryshimet statutore të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe gjithashtu miratimin e kalendarit të aktiviteteve për të realizuar të gjithë pikat që parashikon rezoluta brenda afateve 30 dhjetor 2020.

Uroj që presidenti ta respektojë kërkesën tonë dhe nëse presidenti nuk do ta respektojë, atëherë do të kërkojmë mbledhjen e Asamblesë së Komitetit Olimpik, sipas statutit me kërkesë të 2/3 të anëtarëve, – tha Presidenti Duka, teksa shtoi: – Gjithsesi, ne do të japim gjithë kontributin tonë që kjo organizatë të funksionojë normalisht dhe të jetë në shërbim të sportit. Aktualisht, për ne organizata nuk funksionon, nuk shohim pothuajse asnjë mbështetje, asnjë lobim, asnjë benefit, jo vetëm Federata e Futbollit, që është më pak e interesuar për mbështetje financiare, por ështe e interesuar për lobim në të mirë të sportit, për ndryshimet ligjore, që mund të bëjmë të gjithë së bashku. Edhe federatat e tjera nuk shohin asgjë, ne kishim sot edhe federata olimpike, që janë përfaqësuar në Lojërat Olimpike, madje me shpenzimet e sportistëve”.

Më tej, Presidenti i FSHF-së theksoi nevojën që Komiteti Olimpik t’u rikthehet federatave që bëjnë sport real për të mirën e sportistëve dhe mos të jetë një organizatë në shërbim të disa individëve.

“Komiteti Olimpik nuk është marrë peng sot, ka qenë peng me kohë dhe ne pikërisht këtë duam të realizojmë, që Komiteti Olimpik t’i rikthehet federatave anëtare, federatave olimpike, federatave që bëjnë sport real për të mirën e sportistëve dhe mos të jetë një organizatë në shërbim të disa individëve. Organi më i lartë i një organizatë është Asambleja dhe nuk ka shansin askush të mos respektojë vendimet e Asamblesë.

Nuk ka asnjë dyshim që brenda 30 dhjetorit, zgjedhjet duhet të bëhen, ndryshimet statutore duhet të bëhen dhe të rikthehet normaliteti në organizatë. Kjo nuk është asnjë çështje e interesave të kurrkujt. Unë personalisht e kam deklaruar në takimin e sotëm dhe e deklaroj se nuk kam ambicie për të kandiduar në asnjë nga organet drejtuese të KOKSH, as në Komitet Ekzektutiv, në asnjë lloj Komisioni të tij, por jam i interesuar si përfaqësues i FSHF-së, që ajo organizatë në të cilën ne aderojmë të funksionojë dhe ne të japim kontributin tonë maksimal për funksionimin normal të saj”, – vijoi Presidenti Duka.


I pyetur nga gazetarët nëse në këtë rast ka pasur neglizhencë nga ana e qeverisë shqiptare e më konkretisht nga ministria përgjegjëse për sportin, kreu i Federatës së Futbollit u përgjigj: “Mbase janë nisur për të respektuar vendimet e organizatave dhe normalisht organizatat duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre, në rastin konkret Komiteti Olimpik. Ne jemi goxha anëtarë të përgjegjshëm që përbëjmë Komitetin Olimpik dhe duhet t’i zgjidhim.

Nëse do kemi nevojë dhe patjetër që kemi nevojë për të tjera mbështetje nga shteti duhet t’ia kërkojmë dhe madje ne vetë kemi propozuar, që në këtë Komisionin e Rishikimit të Statutit të jetë dhe një përfaqësues i Ministrisë. Nuk besoj se ka ndonjë kompetencë për ta zgjidhur këtë gjë, por duhet të jemi ne vetë, anëtarët e komitetit Olimpik që duhet ta zgjidhim dhe ta rikthejmë në normalitet atë organizatë”, – u shpreh Presidenti i FSHF-së.

Ndërsa, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, tha se e shikon me optimizëm situatën dhe se ngërëi i krijuar do të marrë shumë shpejt zgjidhje.

 

“Unë e shoh me optimizëm situatën, këto janë hapa që na çojnë drejt zhvillimeve të reja në KOKSH për ndryshimin e situatës. KOKSH ka patur ndër vite problemet e veta, por unë mendoj që duke u bashkuar të gjitha federatat olimpike, edhe me mbështetjen dhe eksperiencën e z. Duka, do të shkohet drejt zhvillimeve pozitive. Mbase do të kemi pikëpyetje tek afatet, pasi rezoluta e ka të përcaktuar që në fund të djetorit të bëhen zgjedhjet. Do të kemi vështirësi, por unë besoj se me vullnet të mirë do të shkojnë gjërat aty ku duhet”, – u shpreh Biba.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, e vuri theksin te çështja e afatave të vendosura në rezolutë dhe te fakti që nuk është ndërmarrë asnjë veprim që nga mbledhja e muajit shkurt.

“Kanë kaluar kaq muaj, po mbarojnë afatet dhe nuk është bërë asgjë që nga momenti kur është miratuar kjo rezolutë. Për mendimin tim janë për t’u bërë disa asamble deri në zgjedhjet për presidentin e KOKSH-it. Është një asamble që duhet të zgjedhë këtë komision për të bërë amendime në statut, është asambleja e radhës pas asaj që do të miratojë ndryshimet në statut dhe është e fundit asambleja zgjedhore. Prandaj e iniciuam këtë tryezë sot që të kemi kohën e mjaftueshme të mundshme që të këto asamble të zbatojnë edhe afatet e tyre statutore për t’u realizuar në vazhdimësi me njëra-tjetrën dhe për të arritur më datën 30 tetor që do të jetë maksimumi i asamblesë së fundit për zgjedhjet”, – tha Kalivopulli./fshf.org

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!