Mbi një miliard njerëz përballen me obezitet në botë

schedule10:51 - 1 Mars, 2024

schedule 10:51 - 1 Mars, 2024

Më shumë se një miliard njerëz janë duke jetuar me obezitet në gjithë botën, sipas gjetjeve më të fundit të publikuara në revistën shkencore Lancet.

Në këto shifra përfshihen rreth 880 milionë të rinj dhe 159 milionë fëmijë, sipas të dhënave të vitit 2022.

Shifra më e lartë është në Tonga, ku 70-80 për qind e të rinjve jetojnë me obezitet.

Ekipet ndërkombëtare të shkencëtarëve kanë thënë se ekziston nevojë urgjente për ndryshime masive në mënyrën e luftimit të obezitetit.

Obeziteti mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të shumë gjendjeve serioze shëndetësore, përfshirë ato të zemrës, diabetin e tipit 2 dhe disa lloje të kancereve.

Ndër gjetjet kryesore të raportit janë se:

Shtetet e Bashkuara janë në vendin e 10-të në botë për obezitet te burrat dhe në vendin e 36-të për gratë.
India zë vendin e 19-të prej fundit për obezitet te gratë dhe 21-të për burrat
Hulumtuesi i lartë, profesori Majid Ezzati, nga Kolegji Imperial i Londrës, i ka thënë transmetuesit britanik BBC, se “në shumë prej këtyre vendeve, janë dy mundësi, qasja në ushqim të shëndetshëm dhe ushqimi i pashëndetshëm”.

“Në disa raste kemi parë fushata agresive të marketingut, duke promovuar ushqime të pashëndetshme, derisa çmimi dhe qasja në ushqimet e shëndetshme mund të jetë më problematike”.

Në krahasimin mes vitit 1990 dhe 2022, është gjetur se shkalla e obezitetit është katërfishuar në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Sa u përket të rriturve, norma është më shumë se dyfish më e madhe te gratë dhe gati trefish më e madhe te burrat.

Ndërkohë, përqindja e të rriturve që konsiderohen nënpeshë ka rënë për 50 për qind, mirëpo hulumtuesit kanë thënë se edhe kjo pikë është problematike, sidomos në vendet e varfra.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se “ky studim i ri shpërfaq rëndësinë e parandalimit dhe menaxhimit të obezitetit prej moshës së hershme përmes dietave, aktivitetit fizik dhe kujdesit adekuat”.

Rrjeti me mbi 1.500 hulumtues, ka bashkëpunuar me OBSH-në, dhe ka analizuar gjatësinë dhe peshën e rreth 220 milionë njerëzve mbi moshën pesëvjeçare./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!