Ekzekutimet në Iran u rritën më 75% në vitin 2022, përkatësisht me 582 gjatë vitit të kaluar. Pas shtatorit 2022, Irani u trondit për javë të tëra nga protesta masive, të shkaktuara nga vdekja në paraburgim e Mahsha Amini, një iraniane me origjinë kurde, e cila u arrestua nga policia e moralit për mosrepektim të kodit të veshjes.
Të paktën 582 ekzekutime u kryen në Iran në vitin 2022, numri më i lartë që nga viti 2015, sipas organizatës joqeveritare të Iranit për të Drejtat e Njeriut (IHR) me bazë në Norvegji dhe Ansamblit contre la peine de mort (ECPM) me qendër në Francë.
Të njëjtat OJQ raportuan se 333 persona u ekzekutuan në Republikën Islamike në vitin 2021. Dënimi me vdekje “është përdorur edhe një herë si një mjet frikësimi dhe shtypjeje nga regjimi iranian për të ruajtur stabilitetin e pushtetit të tij”, vlerësuan OJQ-të në raportin e tyre të përbashkët të botuar sot.
Sipas të njëjtave burime, numri i të dënuarve me vdekje për raste të lidhura me drogën është rritur ndjeshëm. Raporti thekson gjithashtu se 30% e ekzekutimeve përfshijnë anëtarë të pakicës Baloch, ndërsa ata përbëjnë 2% deri në 6% të popullsisë së Iranit.
Një mospërputhje e ngjashme vërehet te pakicat kurde dhe arabe. Dënimi me vdekje është “një mjet presioni dhe, më gjerësisht, një mekanizëm represiv për vendin për të menaxhuar problemet sociale”, vlerëson raporti.
Dy persona, përfshirë protestuesin Mazidreza Rahnavard, u varën publikisht, ndërsa të paktën tre nga të ekzekutuarit ishin të mitur dhe 16 gra.
/abcnews.al

