Mbi 50 persona të helmuar në qytetin serb, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

schedule11:36 - 26 Dhjetor, 2022

schedule 11:36 - 26 Dhjetor, 2022

Në qytetin Pirot, në juglindje të Serbisë, është shpallur gjendje e jashtëzakonshme pasi 51 persona u dërguan në spital me simptoma të helmimit, shkaku i rrjedhjes së amoniakut pas përmbysjes së një vagoni të një treni mallrash mbrëmjen e së dielës, më 25 dhjetor.

Kryetari i komunës së Pirotit, Vladan Vasiq, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në këtë qytet, njoftoi TV N1, përderisa shkollat në atë qytet janë të mbyllura të hënën.

Sipas informacioneve nga Qendra Klinike Universitare në Nish, në atë spital janë shtruar 15 persona – 12 të rritur dhe tre fëmijë – për shkak të simptomave të helmimit.

Në njoftim theksohet se të gjithë pacientët janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë dhe shtojnë se ata janë shtrirë në spital gjatë natës.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se “ka pasur rrëshqitje të vagonit në trenin e mallrave që përmbante amoniak dhe me atë rast ka pasur rrjedhje të gazit dhe koncentrim të madh të tij në atmosferë”, njofton MPB-ja.

Ministria u bëri thirrje qytetarëve që jetojnë pranë vendit të ngjarjes “të mos largohen nga shtëpitë dhe të mos dalin jashtë”. Trafiku hekurudhor në atë zonë është ndërprerë.

Radio Televizioni Shtetëror i Serbisë (RTS) njoftoi se shtatë persona janë shtrirë në Qendrën Klinike Universitare në Nish nga 51 që kishin shtuar në spital shkaku i simptomave të helmimit me amoniak.

Punëtorët e turnit të dytë në fabrikën e gomave “Tigar Tires” në Pirot janë evakuuar, ndërsa turni i tretë, siç njofton RTS-ja, nuk do të punojë.

Këtë aksident e bëri të ditur vetë kompania transportuese “Srbija Kargo”, e cila ka thënë se bëhet fjalë për trenin e mallrave që udhëton çdo ditë, duke transportuar lëndë të parë nga Bullgaria në Prahovë dhe Shabac.

“Srbija Kargo” në deklaratën e saj thekson se nuk ka viktima apo të lënduar, njofton RTS./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!