Mbi 5 milionë njerëz vdesin në vit nga lëndët djegëse fosile

schedule11:05 - 1 Dhjetor, 2023

schedule 11:05 - 1 Dhjetor, 2023

Ndotja e ajrit e shkaktuar nga lëndët djegëse fosile vret pesë milionë njerëz në vit, një numër shumë më i lartë se sa ishte vlerësuar më parë, sipas një studimi.

Shifrat alarmante, të publikuara në prag të samitit të klimës COP28 në Dubai, pritet të rrisin presionin ndaj liderëve botërorë për të ndërmarrë veprime, si për shembull të  bien dakord për të hequr dorë nga karburantet fosile.

Hulumtimet kanë treguar se kalimi nga lëndët djegëse fosile në energjinë e rinovueshme do të shpëtojë jetë dhe do të trajtojë krizën klimatike.

Ndotja e ajrit nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile në industri, prodhimin e energjisë dhe transportin është përgjegjës për 5.1 milionë vdekje në vit, sipas shifrave të publikuara në British Medical Journal.

Lëndët djegëse fosile kontribuojnë në 61% të vdekjeve nga ndotja e ajrit.

“Të dhënat tona tregojnë se heqja graduale e karburanteve fosile do të ketë përfitime të mëdha shëndetësore,” tha ekipi ndërkombëtar i studiuesve.

Ndotja e ajrit është një shkak kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve. Një ekip ndërkombëtar studiuesish nga Britania, SHBA, Gjermania, Spanja dhe Qipro përdori një model të ri për të vlerësuar numrin e vdekjeve për shkak të ndotjes së ajrit nga lëndët djegëse fosile.

Ekipi vlerësoi gjithashtu përfitimet shëndetësore të zëvendësimit të karburanteve fosile me burime të energjisë së rinovueshme.

Gjetjet e shkencëtarëve tregojnë se në vitin 2019 grimcat dhe ozoni në ajrin atmosferik (61% e tyre e prodhuar nga lëndët djegëse fosile) ishin përgjegjëse për 5 milionë vdekje.

/abcnews.al