Mbi 40% e mediave afgane janë mbyllur që nga rikthimi i talebanëve

schedule22:21 - 25 Dhjetor, 2021

schedule 22:21 - 25 Dhjetor, 2021

Mediat në Afganistan rrezikojnë të shkatërrohen, pasi përballen me një ulje të të ardhurave pas marrjes së pushtetit nga talebanët. Një studim i Gazetarëve Pa Kufij dhe Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur Afganë tregon se rreth 43% e mediave afgane kanë ndalur aktivitetin, duke rreth 60% e gazetarëve kanë mbetur të papunë. Studimi gjithashtu tregon se marrja e pushtetit nga talebanët ka ndryshuar në mënyrë radikale panoramën mediatike në vend.

Nga 543 media që vepronin në Afganistan në fillim të verës, vetëm 312 ishin ende në funksionim deri në fund të nëntorit.

231 mediave iu desh të mbyllen dhe mbi 6400 gazetarë humbën vendet e punës që kur forcat talebane morën pushtetin në mesin e gushtit.

Një nga arsyet kryesore për këtë ndryshim në panoramën mediatike është kriza ekonomike dhe disa kufizime të vendosura nga qeveria talebane.

Në kanalin lokal Shamshad TV të Kabulit, puna vazhdon si normalisht. Por menaxheri Abid Ehssas thotë se mediat janë goditur rëndë nga humbja e të ardhurave nga reklamat dhe nga kufizimet e vendosura.

“Situata e organizatave të mediave ka ndryshuar. Të ardhurat e tyre kanë rënë. Shumë prej gazetarëve me eksperiencë që punuan gjatë 20 viteve të fundit janë larguar nga vendi. Tregu mediatik është dobësuar. Disa prej mediave po ushtrojnë vetë-çensurë, ose u janë imponuar kufizime”, thotë zoti Ehssas.

Gratë në industrinë e mediave janë dëmtuar në veçanti. Mbi 84% e tyre janë të papuna që kur talebanët morën pushtetin, krahasuar me 52% të gazetarëve meshkuj.

Sidoqoftë, gratë vazhdojnë të punojnë në televizion. Gazetarja në Shamshad TV, Shukria Niazai thotë se ajo shqyrtoi mundësinë që ta linte punën, por vendosi përfundimisht ta vazhdojë, megjithë pasigurinë për të ardhmen.

“Duke patur parasysh situatën, jemi të shqetësuar. Nuk dimë çfarë do të na sjellë e ardhmja. A do të ketë kufizime të caktuara ndaj mediave? Jemi pra të shqetësuar nga këto çështje”, thotë zonja Niazai.

Mjedisi për gazetarët në kryeqytet dhe pjesën tjetër të vendit është bërë i vështirë. Mediat duhet të përmbushin “11 rregullat e gazetarisë” të urdhëruara nga ministria për informacionin dhe kulturën, si dhe me interpretimin taleban të doktrinës islamike. Këto rregulla i hapin rrugën çensurës dhe përndjekjes, dhe ua heq gazetarëve pavarësinë e tyre.

“Të gjitha arritjet në këtë vend po sfidohen ditë pas dite, dhe mediat nuk i shpëtojnë kësaj. Jemi ndikuar shumë keq nga situata e pakëndshme në Afganistan. Situata e mediave dhe e qasjes tek informacioni janë në një gjendje shumë të keqe dhe serioze”, thotë Masroor Lutfi, nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur Afganë.

Dobësimi i aktivitetit të mediave ka një efekt madhor edhe tek punësimi. Nga rreth 10790 të punësuar në media, kishin mbetur vetëm 4360 kur u zhvillua studimi.

Gazetari 30-vjeçar Mustafa Jafari ka punuar për rreth tetë vite me televizione të ndryshme lokale. Ai mbeti pa punë kur kanali Rah-E-Farda, ku ai punonte, u mbyll me ardhjen në pushtet të talebanëve. Zoti Jafari tashmë shet misra të pjekur, për të fituar rreth dy dollarë në ditë që të ushqejë bashkëshorten dhe dy vajzat e tij.

“Fatkeqësisht nuk shoh ndonjë të ardhme më të mirë, dhe humbas shpresën ditë pas dite. Situata ekonomike dhe politike në Afganistan po përkeqësohet çdo ditë që kalon”, thotë zoti Jafari.

Gazetarët kanë punuar gjithnjë në vijën e parë gjatë 20 viteve të fundit, të sulmuar nga talebanët, Shteti Islamik, bandat kriminale dhe në disa raste edhe nga qeveria e ish-Presidentit Ashraf Ghani. Në vitin 2018, nëntë gazetarë afganë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën në një sulm vetëvrasës nga Shteti Islamik.

Afganistani përballet tashmë me rrezikun e një kolapsi të plotë ekonomik, me mungesën e fondeve ndërkombëtare, me një rritje alarmuese të urisë dhe një rebelim të rrezikshëm nga militantët e grupit Shteti Islamik./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!