Pas periudhës së “ngërcit” të krijuar prej Vettingut, ku u pezulluan më shumë se 35 mijë çështje nga “pastrimi” i togave të zeza, me sa duket Gjykata e lartë ka rinisur nga puna.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në një njoftim për mediat bën se ka shqyrtuar disa çështje së fundmi.
Sipas Kolegjit, janë shqyrtuar çështje të karakterit specifik të cilat përbënin emergjencë për aktivitetin gjyqësor.
Çështjet e shqyrtuara nga Kolegji Penal janë gjithsej 180, ku përfshihen zgjidhja e mosmarrëveshjeve për kompetencë ndërmjet gjykatave, rekurset lidhur me masat e sigurimit, lidhur me të drejtat dhe liritë themelore të Njeriut, ekstradimet, kërkesat për përjashtime të gjyqtarëve etj.
Njoftimi i Kolegjit Penal:
“Përshëndetje, Kolegji Penal ka shpërndarë këtë njoftim në lidhje me veprimtarinë e tij deri tani.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pas rifillimit veprimtarisë, ka gjykuar në dhomë këshillimi çështjet që, për shkak të karakterit të tyre specifik, përbënin emergjencë për aktivitetin gjyqësor jo vetëm të Gjykatës së Lartë por edhe për gjykatat e rretheve gjyqësore dhe të apelit.
Në çështjet e shqyrtuara përfshihen zgjidhja e mosmarrëveshjeve për kompetencë ndërmjet gjykatave, rekurset lidhur me masat e sigurimit, lidhur me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ekstradimet, kërkesat për përjashtime të gjyqtarëve, etj.
Megjithëse me përbërje jo të plotë, por duke alternuar punën edhe me gjyqtarët e dy kolegjeve të tjera, atij civil dhe administrativ, kolegji penal deri tani ka shqyrtuar të gjitha çështjet emergjente të mbetura pezull, (180 çështje) duke bërë që gjykimi i tyre të kthehet në normalitet, në respektim të afateve të ligjit procedural penal.
Veç të tjerave, ky kolegj ka organizuar punën për fillimin e shqyrtimit të çështjeve të themelit të cilat, për shkaqe tashmë të njohura, kanë mbetur pa u gjykuar”./abcnews.al