Mbi 30 të vdekur në operacionet e Izraelit në Bregun Perëndimor

schedule08:47 - 4 Shtator, 2024

schedule 08:47 - 4 Shtator, 2024

Forcat e armatosura izraelite vazhduan operacionet e tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar për të shtatën ditë të martën  ku të paktën 30 persona janë vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë të Autoritetit Palestinez.

Operacioni anti-terrorist i Izraelit, siç e quan ai, filloi më 28 gusht në qytetet në Bregun Perëndimor verior, një zonë palestineze nën pushtimin izraelit që nga viti 1967, ku lëvizjet e armatosura palestineze janë jashtëzakonisht aktive.

Dy palestinezë u vranë të martën “në një sulm izraelit në lagjen Dnaba, në Tulkarem lindor”, njoftoi ministria e shëndetësisë. Një vajzë 16-vjeçare u vra nga ushtria izraelite në Kfar Dan.

Numri përfshin tre të vdekur në zonën e Hebronit, në incidente që nuk lidhen me operacionet e forcave të armatosura izraelite në veri. Një nga viktimat dyshohet se kreu një sulm që u mori jetën tre izraelitëve.

Të hënën, ushtria izraelite njoftoi se në “luftën anti-terroriste” elementët e saj kishin vrarë 14 luftëtarë dhe “25 terroristë” ishin arrestuar.

Pas shpërthimit të luftës në Rripin e Gazës midis forcave të armatosura izraelite dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas, dhuna midis palestinezëve, ushtrisë dhe kolonëve izraelitë u përshkallëzua me shpejtësi edhe në Bregun Perëndimor.

Të paktën 637 palestinezë janë vrarë, sipas një numërimi të OKB-së, dhe të paktën 23 izraelitë, përfshirë ushtarë, sipas shifrave zyrtare izraelite./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!