Mbi 140 milionë libra të shitur, humb jetën në moshën 88 vjeçare shkrimtari i famshëm

schedule15:25 - 14 Nëntor, 2021

schedule 15:25 - 14 Nëntor, 2021

Shkrimtari i njohur, Wilbur Smith ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.  Smith botoi 49 romane gjatë gjithë karrierës së tij, duke shitur më shumë se 140 milionë kopje në të gjithë botën, shkruan The Guardian

Romani i parë i Wilbur Smith, “Kur luani ushqehet”, botuar në vitin 1964, ishte një bestseller i menjëhershëm dhe secili prej romaneve të tij të mëvonshëm është paraqitur në top listat e bestsellerëve, shpesh në vendin e parë, duke i dhënë autorit mundësinë për të udhëtuar larg në kërkim të frymëzimit dhe aventurës.

Në deklaratë thuhet se Smith ishte një “avokat i pasionuar i trillimeve aventureske”. “Ai i ka transportuar lexuesit e tij në minierat e arit në Afrikën e Jugut, piraterinë në Oqeanin Indian, thesarin e varrosur në ishujt tropikal, konfliktin në Arabi, Egjiptin e lashtë, Gjermaninë, Parisin, Indinë, Amerikën dhe Antarktikun, duke ndeshur me tregtarë të pamëshirshëm diamanti dhe skllevërish si dhe gjuetarë të gjahut në xhunglat dhe shkurret e shkretëtirës afrikane.”

Për humbjen e këtij personazhi të njohur që ka dhënë një kontribut të madh në fushën e artit dhe letërsisë, ka folur dhe agjenti letrar i Smith-it, Kevin Conroy Scott, i cili tha:

“Wilbur Smith ishte një ikonë, shumë i dashur nga fansat e tij, të cilët librat e tij ia kaluan brezave, baballarët te djemtë dhe nënat vajzave.”

I lindur në Zambia në vitin 1933 në një familje britanike, ai ishte gjithashtu një gjuetar pasi ishte rritur në pyje, kodra  dhe fermën e prindërve të tij në Afrikë. Ai e vlerësoi nënën e tij që i mësoi të donte natyrën dhe leximin, ndërsa babai i tij  një person i rreptë  i dha atij një pushkë në moshën tetë vjeçare, fillimi i asaj që ai tha se ishte një lidhje dashurie e përjetshme me armën e zjarrit dhe gjuetinë./abcnews.al