Mbi 10 mijë vdekje shtesë në vend, që nga fillimi i pandemisë, në mars 2021 u dyfishuan

schedule07:23 - 12 Prill, 2021

schedule 07:23 - 12 Prill, 2021

Më se një vit nga fillimi i pandemisë në vend, bilanci i pasojave në jetët e humbura sa vjen e po bëhet më shqetësues. Dy valët e mëdha të pandemisë, nëntor-dhjetori 2020 dhe shkurt-marsi 2021 kanë qenë fatale.

Sipas të dhënave paraprake nga Gjendja Civile, që referojnë aktet e vdekjeve (datës së regjistrimit në regjistër të vdekjeve të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë), në mars 2021 kishte rreth 3900 fatalitete në vend, me dyfishim (rritje 108%) në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shkurt 2021 u regjistruan rreth 3500 akte vdekje dhe në janar rreth 2,800.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë regjistruar gjithsej 10.2 mijë vdekje, me një rritje prej 70% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ende nuk kishin filluar të ndiheshin pasojat e pandemisë (me rastin e parë që u identifikua në 9 mars 2020). Ky është tremujori më fatal, të paktën që nga viti 1990 kur raportohen të dhënat. Mesatarisht çdo ditë kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe 113 persona, nga 67 në tremujorin e parë 2020.

Në vite normale, humbin jetën 21-22 mijë persona në vit, sipas INSTAT, por këtë vit vetëm në tremujorin e parë kanë ndodhur aq humbje jete, sa regjistroheshin normalisht në 6 muaj.

Dhjetori mbetet muaji me më shumë fatalitete

Efektet e pandemisë në vend filluan të ndihen që nga muaji qershor, pas rihapjes së vendit nga karantina e rreptë e mars-majit.

Pas një vale të parë nga qershori deri në tetor, ku fatalitetet u rritën deri me 47% në gusht, vala e dytë e nëntorit solli përkeqësim të pandemisë, pas hapjes së shkollave dhe fillimit të dimrit. Në nëntor u shënuan gjithsej 3,373 jetë të humbura, me rritje 111% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke shënuar rritjen më të lartë në përqindje në Europë në një muaj përgjatë gjithë ciklit të pandemisë, por edhe në raport me gjithë muajt e deritanishëm në vend.

Muaji më tragjik, për numrin total të vdekjeve, deri tani ka qenë dhjetori, me 4,167 fatalitete, me dyfishim (98%) në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (rreth 2 mijë vdekje më shumë). Në dhjetor humbën jetën 134 persona në ditë, përkundrejt 68 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e katërt 2020 u shënuan gjithsej gati 9800 fatalitete, me rritje 81%, në raport me tetor-dhjetor 2019.

Më pas, situata u qetësua disi në janar, pas pushimeve të fundvitit në shkolla dhe shtimit të kufizimeve të lëvizjeve, me rritje 30% , ose 667 fataliteteve më shumë.

Pas dhjetorit, situata më e rënduar ka qenë në shkurt-mars të këtij viti, ku sërish u konstatua një valë e shtuar e tretë e pandemisë dhe një mbingarkesë në spitale. Marsi 2021 iu afrua niveleve të dhjetorit 2020 për humbjen e jetëve (shih grafikun: Ecuria e vdekjeve sipas muajve).

Tradicionalisht, tremujori i parë i vitit ka një nivel më të lartë vdekjesh në raport me periudhën tjetër të vitit, si rrjedhojë e motit të ftohtë, që ul imunitetin, kryesisht të të moshuarve.

Mbi 10 mijë fatalitete shtesë që nga fillimi i pandemisë, rritje rreth 48%

Në 12 muaj, nga prilli 2020 në mars 2021, gjithsej në vend janë regjistruar rreth 32.2 mijë jetë të humbura, nga 21.7 mijë në të njëjtën periudhë 12 mujore të vitit të mëparshëm, me rritje prej rreth 48%. Në total janë mbi 10 mijë vdekje shtesë në vend, që nga periudha e fillimit të pandemisë.

Vala më vdekjeprurëse ka qenë në pesë muaj nga nëntori 2020 deri në mars 2021, periudhë në të cilën është regjistruar rreth 77% e shtesës së fataliteteve që nga nisja e pandemisë. Ndryshe nga pjesa më e madhe e shteteve të Europës që rikthyen karantinës, në Shqipëri u zbatuan vetëm kufizime minimale të orareve të mbrëmjes.

Sipas mjekëve, rritja e lartë e vdekshmërisë lidhet me efektet direkte të Covid-19 (të përshkallëzuara dhe nga sistemi i dobët i kujdesit shëndetësor dhe lëvizshmëria normale e njerëzve, përveç darkës), si dhe shtimit të fataliteteve së sëmundjeve të tjera, për shkak të mungesës së diagnostikimit dhe stepjes për të shkuar në spitale. Një tjetër problematikë, që po konstatohet, lidhet edhe me pasojat, që po lë Covid-19 tek ata që e kalojnë atë, duke rritur predispozitën për trashje gjaku, që mund të sjellë goditje në zemër, në tru, trombozë etj.

Që nga fillimi i pandemisë, në mars 2020, deri në fund të 2020-s, Shqipëria regjistroi dhe rritjen më të madhe të fataliteteve në Europë.

Nga të dhënat rezulton se Shqipëria, e cila zgjodhi të zbatojë kufizime të rrepta vetëm në mars-maj ka përjetuar valën më fatale të pandemisë, me një rritje të numrit të vdekjeve me 38% për mars-dhjetor 2020, krahasuar me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019. Shqipëria ka një diferencë rreth 30% më të lartë për shtesën e vdekshmërisë në periudhën e pandemisë me të gjithë shtetet e tjera të Europës./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!