Mbeti pa Kupë Amerike, James Rodriguez: U habita, si qëndron e vërteta

schedule21:40 - 28 Maj, 2021

schedule 21:40 - 28 Maj, 2021

James Rodriguez nuk do të jetë pjesë e Kolumbisë në dy takimet e radhës kualifikuese të Katar 2022 (Peru, Argjentinë) dhe në Kupën e Amerikës. Me anë të një komunikate zyrtare, kombëtarja latine shpjegoi se ky vendim u mor për shkak të gjendjes aspak të mirë fizike të lojtarit.

Fantazisti i Everton ka reaguar, duke hedhur poshtë gjithçka. 29-vjeçari është surprizuar nga fakti që trajneri Ruenda e ka lënë jashtë Kupës së Amerikës (13 qershor-10 korrik). “Më habiti fare deklarata e stafit të ekipit kombëtar. Ata deklaruan se nuk mund të mbështeteshin tek unë, duke më uruar shërim të shpejtë.

Shërim që ka ndodhur falë sakrificave të mia të mëdha. Duhet të isha treguar i kujdesshëm në sfidën me Perunë, por mund të luaja pa probleme ndaj Argjentinës. Sigurisht që nuk do kisha probleme të luaja në Kupën e Amerikës.

Vij nga një fazë pushimi, por jam në hapat e fundit të rikuperimit total. Kam marrë mjaft kohë për t’u integruar plotësisht dhe për t’u rikthyer të luaj futboll, në mënyrë që të mos e vija në rrezik aktivizimin me Kolumbinë“, deklaron James Rodriguez. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!