Mbetën pa spital pas tërmetit, banorët e Laçit në protestë

schedule16:26 - 23 Maj, 2021

schedule 16:26 - 23 Maj, 2021

Kur ka kaluar mbi 1 vit e gjysmë nga tërmet që shembi shumë banesa por dhe spitalin e Laçit banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth kanë dalë në protestë. Ata kërkojnë që punimet për spitalin e ri të përshpejtojnë pasi deri më tani vetëm themelet janë hedhur. Ky zotëri është invalid dhe më shumë nga të gjithë ka nevojë ta ketë spitalin pranë zonës së banimit.

“S’kam lekë me ç’të lëviz nuk mund të shkoj dot në Tiranë dhe Lezhë. S’jam i vetmi invalid në Kurbin, janë dhe 170 persona që kanë shumë probleme. Pse  e vonojnë Spitalin e  Fierit e ngritën shpejt,” shprehet ai.

“Unë kam vetë të sëmurë në shtëpi. Kryeministri Rama na premtoi në atë kohë se do bëhet për 4 muaj. Po kalojnë dy vjet dhe s’është bërë,” thotë një qytetar.

Sipas tyre nuk ka as transparencë në lidhje me punimet. “Kemi marrë përgjigje nga Ministria e shëndetësisë po informacioni nuk është i publikuar për publikun,” thotë një tjetër qytetare.

“Po spati reagim do protestojmë tek ministria”. “Kontrata është ligj për palët, duhet të dënohen për vonesat. Se di pse heshtin?”

Edhe pse ju është thënë se punimet e spitalit do përfundojnë në qershor sic duket dhe nga pamjet vështirë se kjo do të ndodhë.

“Në 4 shkurt ka nisur puna dhe duhet të mbarojë në 4 qershor. Po vetëm me magji mund të përfundojë”. “Me këto ritme do duhen dhe dy vjet të përfundojnë punimet”.

Që prej 26 nëntorit të 2019 banorët e Laçit dhe zonave përreth kanë qenë të detyruar të marrin shërbimet mjekësore në Lezhë dhe Tiranë. Por jo të gjithë kanë mundësi ekonomike dhe kushte për të kryer vizita në spitalet e qyteteve të tjera. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!