Në studion e “ABC të Mëngjesit”, atmosfera u ndez nga forca, adrenalina dhe një rekord i ri personal. Kampioni i powerliftingut, Mbarim Mehmeti, demonstroi live fuqinë e tij të jashtëzakonshme duke mbajtur 150 kilogramë për 10 sekonda me një dorë, një sfidë që pak mund ta imagjinojnë, e jo më ta realizojnë.
Mbarimi, që peshon vetëm 72 kilogramë, prej vitesh merret me stërvitje ekstreme, duke shtyrë limitet e trupit të tij në nivele të jashtëzakonshme.
“Prej disa ditësh thyeva një tjetër rekord personal, arrita të mbaj me një dorë 103 kilogramë për 20 sekonda”.
Historia e Mbarimit nuk është vetëm e forcë fizike, por edhe e vullnet dhe përkushtim. Ai nisi stërvitjen në moshën 36-vjeçare, një moshë kur shumica ndalen, por ai filloi. “Deri në atë moment, ishte thjesht një ëndërr në sirtar,”- tregon ai.
Duke punuar mbi trupin dhe mendjen e tij, ai e transformoi dhimbjen në forcë. 390 kilogramë për 5 sekonda, ku është limiti?
Kampion i mirënjohur në powerlifting, Mbarimi sot ngre pesha që sfidojnë çdo logjikë. Ai trajnohet rregullisht me pesha që shkojnë në 100 kg, 200 kg e deri në 300 kilogramë, dhe i mban për disa sekonda.

