Kur Kylian Mbappe është në formë, Real Madrid fiton. Një aksiomë e vërtetuar sërish në suksesin 3-0 në transfertën e vështirë kundër Athletic Bilbao.
Sulmuesi francez shënoi dy gola, duke i lejuar “los blancos” të rigjejnë qetësinë pas kritikave dhe mbi të gjitha të ruajnë ritmin e Barcelonës në garën për titullin kampion.
Sfida në “San Mammes” u shbllokua pas vetëm shtatë minutash lojë, me Mbappe që finalizoi sipas mënyrës së tij në hyrje të zonës.
Vendasit provuan të barazojnë shifrat, madje kishin mundësi të mira, por shpresat e tyre u sfumuan në fundin e pjesës së parë.
Eduardo Kamavinga dyfishoi diferencën, ndërsa edhe në këtë gol Mbappe vendosi këmbën në asistimin për patriotin e tij.
Pas pushimit, sulmuesi madrilen plotësoi mbrëmjen e madhe personale me realizimin e dytë personal dhe të tretin për Real.
Ky ishte goli i 16 në 15 ndeshje të luajtur në këtë sezon në La Liga, ndërsa Kylian Mbappe ka edhe 4 asist, që konfirmojnë sezonin e shkëlqyer të tij.
Ndërkohë, me këtë fitore Real Madrid ngjitet në kuotën e 36 pikëve në vendin e dytë të klasifikimit të përgjithshëm, me vetëm një pikë më pak se rivalët e përjetshëm të Barcelonës.

