Ditën e sotme një i burgosur ka varur veten në burgun nr.313 në Tiranë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani bën me dije se është njohur nga mediat me rastin në fjalë, dhe thekson se do të kryhen të gjitha procedurat për verifikimin e situatës.
“U njoha nga mediat me lajmin e vetëvarjes së 43 vjeçarit B.H., në institucionin e vuajtjes së dënimit 313 në Tiranë, si dhe me pretendimin se i ndjeri po qëndronte me masë sigurie në burg, për shkak se kishte vjedhur 12 mijë lekë të vjetra.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë po vlerëson rastin për fillimin e verifikimit nëse ka patur vonesa në veprimet procedurale hetimore apo gjyqësore, si dhe nëse ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural”, deklaroi Metani.
Mësohet se i burgosuri është Bilbil Hasani, 43-vjeç nga Kukësi dhe banues në Kamëz ndërsa qëndronte në paraburgim, në pritje të dënimit.
Hasani ishte arrestuar në vitin 2019 per kryerjen e veprës penale “vjedhje”.
Gjithashtu raportohet se 43-vjeçari është vetëvarur me çarçaf në banjën e qelisë dhe kanë qenë gardianët, që kanë gjetur trupin e tij të pajetë./abcnews.al