Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) Rezana Vrapi jkëtë të premte ka dhënë detaje në lidhje me procesin e korrigjimit të testit të Maturës Shtetërore 2020.
Vrapi në reagimin e saj ka nënvizuar se korrigjimi do të bëhet në mënyrë digjitale, pasi i gjithë testi do të jetë i organizuar në pyetje me alternativa.
“Nxënësit pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procesohet përmes skanerave. Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur. Sërish, bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar,” ka thënë Vrapi.
Ndër të tjera Vrapi ka theksuar se me datë 1 korrik 2020 QSHA do të fillojë procesi i printimit të diplomave të Maturës Shtetërore, i cili do të jetë në dy faza. Në fazën e parë, do të printohen diplomat për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Ndërsa ditët në vijim, do të mbyllet edhe procesi për pjesën tjetër të maturantëve. /abcnews.al