Matthew Palmer emërohet përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin

schedule13:11 - 31 Gusht, 2019

schedule 13:11 - 31 Gusht, 2019

 

Sekretari Amerikan i Shtetit ka emëruar Zëvendës Ndihmës Sekretarin Matthew Palmer Përfaqësues të tij të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Departamenti i Shtetit tha se Palmer do të udhëheqë përpjekjet e Shtëpisë së bardhë për të forcuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në rajon; si  dhe për t’u përqëndruar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore.

Në reagimin e tij të parë shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka deklaruar se emërimi i zotit Palmer i dërguar i posaçëm për Ballkain Perendimor nuk është befasi dhe kjo dëshmon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës  dëshirojnë në Ballkan të vendoset paqja dhe qëndrueshmeria rajonale.

Duke folur për programin e mëngjesit të Televizionit shtetëror serb, Daçiç la të kuptohet se zyrtari i lartë amerikan është njohës i mirë i rrethanave në Ballkan e sidomos në Serbi ku ka shërbyer si diplomat në vitet nëntëdhjetë.

“Është i martuar me një beogradase po nuk e di sesa është epërsi, sa është mangësi, në këtë rast, për shkak se do të jetë i detyruar të dëshmojë se nuk është subjektiv”– deklaroi të shtunën kryediplomati serb, duke nënvizuar se parakusht për zhbllokimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë e të qëndrueshme, është heqja e tarifave doganore për mallrat serbe.

Megjithëse pranoi se administrata amerikane nuk vë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, prapëseprapë në caktimin e Matthew Palmer-it Përfaqësues të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Daçiq sheh një ndryshim në politikën amerikane.

‘Ky është konfirmim i gjithë asaj që kam folur edhe më herët. A kam thënë se administrata amerikane ka ndryshuar qëndrimin e vet; A kam folur se administrata amerikane nuk e ka ndryshuar qëndrimin për pavarësinë e Kosovës, por ka ndryshuar qëndrimin për atë se kjo çështje nuk është zgjidhur dhe duhet të zgjidhet. Përse do të emëronin Përfaqësues të Posasçëm nëse kjo punë është zgjidhur?’- pyeti ministri serb, duke bërë të ditur se me Matthew Palmerin do të ketë të martën në Bled takimin e parë.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se si Përfaqësues i Posaçëm, Matthew Palmer më një shtator do të shkojë në Slloveni për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

Ai gjithashtu do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në takimin e Drejtorëve të Quint-it për Ballkanin në Bruksel dhe do të marrë pjesë në takimet që do të mbahen në Vjenë dhe në Podgoricë, përkatësisht më 4 dhe 10 shtator./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!